Nga Mehmet Elezi
20-vjetori I ndarjes nga jeta
I mbani mend temperaturat në Prishtinë, ato ditë janari 2006? Termometri tregonte njëzet gradë nën zero. Thua qielli donte me ua kujtue shqiptarëve se u shua gjeneratori i madh i Lirisë së Kosovës. Njeriu që Zoti e çoi në kohën e duhur, në vendin e duhur.
E kam njohur për së afërmi qysh student. Jam ndër shqiptarët e parë të Shqipërisë Londineze, që kam pasur këtë fat. Në maj 1971 kemi lëvizur bashkë një javë nëpër Shqipëri. Ai, djalosh 27-vjeçar, kryeredaktor i gazetës studentore “Bota e Re” në Prishtinë. Unë, student 22-vjeçar, kryeredaktor i gazetës “Studenti” në Tiranë. Treshen e plotësonte një tjetër djalë nga Prishtina, 24-vjeçar: Rexhep Ismajli, në atë kohë kryeredaktor i revistës “Dituria”, sot gjuhëtar me emër, akademik.
Rugova mbetet fenomen politik.
1. U shfaq në skenën e historisë si interpret politik i Shpirtit Shqiptar. E ktheu Kosovën, çështjen e saj, me fytyrë nga Perëndimi. Nga aleatët tanë të natyrshëm, Uashingtoni e Brukseli.
2. Spikati si burrë shteti vizionar (bota ka pa fund politikanë, por burrat e shtetit i numron me pikatore). Kur pavarësia e Kosovës ishte ëndërr, ai fliste për të. Në tërë karrierën politike katër-pesë fjalë shqiptonte përherë: protektorat ndërkombëtar, pavarësi, Kosovë euroatlantike me qytetarë të barabartë, e hapur. A nuk qenë pikërisht këta gurët kilometrikë të Lirisë së Kosovës?
3. U bë frymëzues i qëndresës paqësore. E pashembullt në historinë e Ballkanit e të Europës. E organizuar, aktive. Në Kosovë u ngritën institucionet paralele, sfidë ndaj pushtetit të dhunës të pushtuesit serb. Asnjë lëvizje tjetër në kontinent nuk është cilësuar gandizëm. Ajo dëshmoi se shqiptarët janë popull i qytetëruar, njerëz të paqes. Por edhe të luftës, kur sosen alternativat e tjera.
4. I qetë përballë moskuptimit. I përmbajtur përballë sulmeve të kundërshtarëve politikë ose të keqdashësve: qenia e tij punonte me ndryshue historinë, nuk mund t’u falte kohë e energji vogëlimave. I palëkundur në idetë, që besonte. I vendosur, me ftohtësi shkëmbi.
Kosova iu bashkua, u bë një me të. S’e braktisi as në dritëhijet më dramatike të shpresës.
Prej Rugovës mund të mësohet, por ai s’mund të kopjohet.
Erdhi si misionar. Mbeti fenomen.

