Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u vlerësua sot me Çmimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, një çmim që i atribuohet përpjekjeve humanitare të Ankarasë në mbështetje të palestinezëve dhe për rolin e saj në evakuimet mjekësore nga Gaza.
Dekorata iu dorëzua nga Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, gjatë punimeve të Kongresit të 11-të të Botës Mjekësore Turke, i cili po zhvillohet në Ankara.
Gjatë fjalës së tij në ceremoni, Erdogan kritikoi ashpër heshtjen e komunitetit ndërkombëtar përballë sulmeve ndaj spitaleve në Gaza dhe vrasjeve të pacientëve, personelit shëndetësor dhe foshnjave gjatë dy viteve të fundit.

