Ermal Hasimja ka konfirmuar publikisht kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, në zgjedhjet e ardhshme lokale. Vendimi i tij vjen në përputhje me propozimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për të nxjerrë një kandidat të pavarur, që do të përfaqësojë opozitën e bashkuar përballë mazhorancës socialiste.

Në një deklaratë publike, Hasimja tha se ka vendosur të kandidojë në bazë të kritereve të përcaktuara nga Berisha, duke iu drejtuar zyrtarisht lidershipit të Partisë Demokratike dhe forcave të tjera opozitare.

“Berisha ka propozuar që një opozitë e bashkuar të dalë me një kandidat të pavarur, i cili nuk do të garojë me një logo të caktuar partie, por si kandidat i përbashkët i opozitës. Ai ka kërkuar që kandidatët të shprehin dëshirat dhe ambiciet e tyre, dhe unë publikisht po i drejtohem zotit Berisha, kryesisë së PD-së dhe partive të tjera opozitare, duke paraqitur kandidaturën time sipas këtyre kritereve,” — deklaroi Hasimja.

Hasimja theksoi se menjëherë pas njoftimit ka marrë një numër të madh reagimesh, telefonatash dhe mesazhesh nga qytetarë dhe figura të ndryshme politike, duke e përshkruar këtë interesim si “të papritur, por inkurajues”.

Kandidatura e tij vjen në një moment kur opozita po kërkon të gjejë një formulë të re bashkëpunimi për zgjedhjet vendore, pas përçarjeve të thella të viteve të fundit. Nëse do të marrë mbështetjen e forcave kryesore opozitare, Ermal Hasimja mund të bëhet emri i parë që përfaqëson realisht idenë e një opozite të bashkuar pa ngjyra partiake në garën për Tiranën.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *