Emisari amerikan për dialogon Kosovë-Serbi u shpreh se këshillat e SHBA-ve janë injoruar nga qeveria e Kosovës e cila nuk po I trajton si partnerë.
Gabriel Eskobar shtoi se këto qëndrime mund të kenë dhe pasoja, por pa folur për detaje konkrete.
“Nuk dua të flas se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona publike kanë treguar qartë se ku po shkojnë raportet tona diplomatike dhe politike. Ne jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht. Mendoj se ambasadori [amerikan në Kosovë, Jeffrey] Hovenier e ka thënë më së miri: Kjo ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën që të integrohet në komunitetin transatlantik.”- tha Escobar në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.