I dërguari i Posacëm i Shba-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar paralajmëroi arritjen e shpejtë të një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë duke hedhur poshtë zërat e ditëve të fundit se kjo marrëveshje kërkon vite që të arrihet. Bëhët fjalë për projektin franko-gjerman i cili ka marrë dhe miratimin e Shba-ve si propozimi i duhur për arritjen e një marrëveshje mes dy shteteve. Pas takimeve me autoritetet në Kosovë, Eskobar foli para mediave duke shprehur besimin për një marrëveshje të afërt në kohë. “Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh, për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesve që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë.” – tha Eskobar.
I dërguari i Shba-ve doli hapur në mbështetje në projektit franko-gjerman duke theksuar se ky propozim e afron Kosovën drejt OKB-së dhe i hap rrugë anëtarësimit të Serbisë në BE. “Ne do ta mbështesim këtë propozim. Ne mendojmë, sikurse na është shpjeguar, se ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës dhe potencialisht Serbisë në proceset euro-atlantike. Po, e mbështesim plotësisht. Më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane.”- shtoi Eskobar.