Nga Mehmet Elezi
A na bën “tepër krenarë” fakti se ekipi kombëtar luajti në Euro 2024 si i barabartë me ekipet e frikshme të “grupit të vdekjes”?
Djemtë e kombëtares meritojnë shumë dashuri, shumë nderim për lojën sulmuese, për shpirtin luftarak. Por humbja, sado me dinjitet, vështirë të bën “tepër krenar”.
Ju kujtohet tetë vjet më parë? Ekipi ynë u kthye i skualifikuar nga europiani, Edi Rama dha urdhër me i nxjerrë fëmijët nga mësimi, me i pritë me lule futbollistët, që i kishin bërë një gol Rumanisë. Dha urdhër me i nxjerrë nëpunësit e shtetit nga zyrat, me i pritë me brohoritje futbollistët, që i kishin bërë një gol Rumanisë.
Kompleks i thellë inferioriteti, në nivel shtetëror.
Duke fluturuar në qiellin e shtatë pse u mund me një gol një ekip ballkanik, zbulon para të tjerëve se ndihesh kurrkushi.
Kompleksi në nivel shtetëror shpreh kompleksin vetjak të drejtuesit të shtetit, krizën identitare personale. Pasqyron nënvetëdijen e tij, një shkallë foshnjore zhvillimi. Kjo më kujton një ndodhizë nga fëminia. Bija 6-7 vjeçe e nje “gabeli” (kështu quheshin romët), shoqëronte të atin për peshk në Valbonë. Sa e merr vajza kallamin e peshkimit, qëllon që bie në grep një troftë. Vajza dridhet nga gëzimi, tund grepin ku përpëlitej peshku e ngjiret: e zura, e zura! Ndërkohë dikush thërret nga një thep: Mii-naa! Se ç’po ndërtohej dhe minatorët do të plasnin minat. Vajza në delir. Mezi e tërheq i ati me fshehë kryet në një shtrehë shkëmbi.
Shteti shqiptar s’ka arsye me u krenue.
Shteti shqiptar ka arsye me ulë kokën me turp. Asnjë lojtar i ekipit kombëtar nuk luan me ekipet e kampionatit vendas. As edhe një i vetëm nuk luan në Shqipëri. Sepse s’ka asnjë investim serioz për futbollin. Sepse s’ka kurrfarë strategjie zhvillimi për sportet.
Prandaj në Atdheun tonë të dashur kampionatin e fiton edhe Rrogozhina.Futbollistët e kombëtares luajnë me ekipe të mëdha në Europë. Ia kanë dalë falë talentit vetiak. Falë vullnetit të pathyeshëm, besimit. Shteti shqiptar vetëm i ka penguar, me imazhin e nxirë prej keqqeverisjes. Niveli i ekipit kombëtar shfaq potencialet e njeriut shqiptar.
Niveli i ekipit kombëtar nxjerr cipricullak qeverinë.
Disa megafonë proqeveritarë thonë falë “përformancës në Euro 2024, që na bën tepër krenarë”, edhe turizmi do të marrë superbum.
Kujdes nga “superbumet” e kësaj qeverie. Mii-naa!