Shorti për kualifikueset e kampionatit evropian Euro 2024 ka vendosur Shqipërinë dhe Kosovën në grupe ku secila mund të kërkojë kualifikimin në këtë kompeticion. E vendosur në grupin E, Shqipëria rivalin më të fortë pritet të ketë Poloninë e Robert Levandovskit, ndërsa kundërshtarët e tjerë në grup janë Çekia, Moldavia dhe Ishujt Faroe. Mund të jetë e para herë që kombëtarja jonë eviton përballjen me një kundërshtar të madh evropian në fazën kualifikuese dhe ky zhvillim mund të ofrojë shanse më të mëdha për një tjetër kualifikim në kampionatin evropian pas pjesëmarrjes historike në Euro 2016-ë.
Goglat e shortit janë treguar bujare dhe me përfaqësuesen e Kosovës e vendosur në grupin I. Dardanët gjejnë si rivalin kryesor në grup Zvicrën e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit të cilët zbresin për herë të parë si kundërshtarë në Prishtinë. Rivalët e tjerë na grup janë Izraeli, Rumania, Bjellorusia dhe Andora. Përballjet mes të mëdhave rezervohen në grupin B me sfidat Hollandë-Francë dhe në grupin C ku do të përballen Anglia me Italinë kampione të Evropës në fuqi.