Evi Kokalari njoftoi me anë të një postimi në rrjetet sociale se është duke finalizuar punën për krijimin e një force të re politike që do të njihet si Lëvizja Konservatore.
Kokalari thekson se kjo lëvizje do të jetë e para parti e djathtë në realitetin politik shqiptar prej 3 dekadash pluralizëm politik.
Po ashtu, ajo nënvizon se në këtë forcë politike nuk do të ketë vend për elemente që vijnë nga radhët e LSI-së, apo siç njihet sot si Partia e Lirisë.
Postimi i plotë i Evi Kokalarit
Në 15 Qershor jam në Tiranë.
Lëvizja Konservatore zyrtarisht do filloj kur të jem aty, por organizatorët janë në terren, kështu që më kontaktoni nëse doni të aktivizoheni.
Momentalisht fokusi është krijimi i strukturave në Tiranë, Durrës dhe disa rrethe të tjera.
Qëllimi im është të organizoj siç duhet të djathtën Shqiptare, pa elementët e LSI, dhe të mbledh individë që si unë s’kanë nevojë për një karrige, por janë seriozë dhe duan ndryshime serioze, që nga ndalimi i korrupsionin dhe deri tek shkatërrimi i kupolës 32 vjeçare.
Nëse mundem, do mbledh shumë demokratë bashkë, dhe do t’ju jap atë që gjithmonë ju ka munguar – meritokracinë.
E ndjej veten mëse të zonjën të ndërtoj të djathtën Shqiptare dhe ta çoj atë në fitore, dhe kjo mund të ndodhë dhe me PD-në.
PD-ja mund të arrijë aty ku është ose t’i bashkohet çfarë po bëjmë ne. Ky është vendim individual i secilit nga ju. Berisha vetë, derën hapur do e ketë për sa kohë kupton që nuk mund të na çojë në fitore, sepse mbështetjen e duhur ia dhamë, dhe e shiti Foltoren. Ai duhet në mënyrë absolute të lërë gjeneratën e re, me frymë të re t’i japë oksigjen partisë, pa LSI dhe elementët e majtë. Por, duke ditur egon e tij, e shikoj të jetë qëndrestar deri fund, dhe do refuzojë të ndryshoj se si funksionon PD-ja, dhe në këtë rast, përgjigja më e mirë do jetë izolimi politik, që ka filluar tashmë, me braktisjen e protestave, dhe zgjedhjeve. Mos bëni gabim, Berishës po i ikën baza bashkë me militantët.
Di t’ju them dhe një gjë – seriozisht nuk jam njëri i karrigeve, prandaj ka një shans që të ndërtoj një të djathtë të fortë, dhe mos jem vetë kryetare, ama midis forcave të bashkuara në Shqipëri dhe jashtë saj, ju premtoj që regjimi post-komunist në Shqipëri do të marrë fund dhe mënyra e të bërit politikë në Shqipëri do të ndryshojë.
Kam aq besim tek vetja dhe tek ata që këto tre-katër muajt e fundit kanë qënë gjithë kohën me mua. Shumë që më kanë kontaktuar këto kohë, janë figurave intelektuale dhe njerëz të biznesit të vogël, që ju ka ardhur në majë të hundës, dhe këta janë ata që së bashku me diasporën, do sjellin ndryshimin.
Shihemi së shpejti.