Me vdekjen e vërtetuar të Bajram Currit, zhduket një fytyrë plaku fisnik nga sheshi i Shqiptarësisë. I pastërvitur, aq sa s´dinte të nënshkruante emrin e tij dhe vente gishtin në vend të emrit në dokumentat, Bajram Curri ish shumë i mençur prej natyre dhe përpiqej me çdo mënyrë që nipërit e tij te hynin e te mësojin në më të mirat shkolla të Evropës.
Liberal në mes të despotizmes, patriot në mes të tradhtësisë ose të ftohtësisë kundrejt Atdheut, i patrembur në armët po përkrahës i brezit të ri dhe i idealit të një Shqipërie të shtruar në qetësi e në punë, Bajram Curri kish shumë virtyte të bukura; po virtyti më i shkëlqyer i tij ish një besnikëri e patundur në fjalën që jepte. Një zotim nga Bajram Curri qe një siguri e plotë dhe pa ndonjë hije dyshimi. Mbrojtës i fortë dhe i kthiellt i miqve të tij, Bajram Curri qe i ashpër kundër armiqve, po dhe kjo ashpërsi nuk kish një ashpërsi aq e egër, sa të mos zbutej nga zëri i urtësisë dhe nga këshillat e matura.
Mardhëniet e mia me Bajram Currin kanë qenë të vjetra dhe kurdoherë të pëlqyera.U poqëm për herën e parë me Bajram Currin në gusht të motit 1894, në një vakancë të shkurter që shkova në Shqipëri të Sipërme kur mësoja në Francë. Më vonë, kur rroja në Belgjike dhe në London, ishim pak a shumë në marrëdhënie të largme e të rralla.
Që më 1913 e gjer më 1921 marrëdhëniet e mia me të kanë qenë të dendura e të përzemërta. Bajram Curri ish një plak 72 vjetsh, i gjatë dhe i fortë, me sy të kaltër e me flok të thinjur, me dukje madhështore ndonëse simple.Mbahej i paqmë, rruhej çdo ditë, vishej mirë, hante pastërisht në tryezë. Në Vjenë e në Romë, ku mbante kapellë me strehë të gjërë, na dukej si nonjë rancher,( fermer kauboj),amerikan i pasur nga Texas ose nga Arizona.
Çdo i huaj që piqej me Bajram Currin, largohej me ndienja çudie lavdëronjëse për këtë plak fisnik të kohërave të vjetra.
Vdekja e tij më hidhëron posi një zi personale. Humbja për Shqipërinë është e rëndë.
Shkruar me 1925 nga Faik Konica
(Marrë nga Faik Konica “VEPRA 1″ N.B.” RILINDJA ” f.227-228
Publikoi: Ilir Seci