Nga Sebastian Zonja

Para disa vitesh më ra në dorë një libër i vogël me rrëfenja që titullohej “Tregime nga Kolima”. Duke qenë se mund ta mbaje në xhep, e hapja dhe e lexoja përgjatë ditës kudo që ulesha për të tymosur një cigare. E rilexova katër herë brenda disa ditësh. Një herë shpejt e shpejt. Pastaj ngadalë. Pastaj me laps e letër. Në fund e lexova së bashku me Primo Levin për të parë krimin nazist dhe atë komunist. Që nga ajo ditë e blej kudo që e gjej se ua bëj dhuratë miqve. Meqë shtëpitë botuese nuk kanë pasur interes ta ribotojnë, gjej këto versionet e vjetra dhe ua bëj dhuratë edhe atyre që thonë “në letra është mirë, çalon pak rrugës implementimi i komunizmit”. 

Autori është një ish-i dënuar politik në Rusinë sovjetike. Varlam Shalamovi vuan në gulag, burg dhe internim, nja 20 vjet të mira. Tregon, pa ndonjë moralizim të madh, se çfarë do të thotë të jetosh në skajet e të qenit njeri. Ku është zona gri e të qenit njeri? Ku barazohesh me kafshën? Në cilin moment kafsha ka më shumë dinjitet se ti? Si e stilizojnë gjuhën agjitatorët dhe propagandistët e Partisë kur të thonë se edhe pak vuajtje dhe ja mbërrijmë të ardhmes së ndritur? Që pasi lexova Shalamovin nuk kam mundur ta marrë veten nga gjendja që të krijon – çfarë jemi të gatshëm t’i bëjmë njëri – tjetrit as që na e pret mendja fare. Pak për ideologji, pak për pushtet, pak për sadizëm, pak për qejf… të gjitha nga pak pjellin një qenie të pështirë që vret e pret, shan e bërtet, dëbon e internon këdo që i del përpara. E gjitha kjo vjen vetëm pasi ke lexuar Karl Marksin. Mos e harroni këtë. Nëse do lexoni Fridrih Hajekun nuk ndodh kjo. 

Sot m’u kujtua Shalamovi sepse gjithnjë kam pasur qejf t’i vizitoj qytetet ruse. Sa shumë më pëlqen letërsia e tyre, muzika, baleti. I shoh nëpër dokumentare, por është gjë tjetër kur shkel vetë. Të shohësh se ku ka jetuar Çehovi, Turgenievi, Dostojevski, Tolstoi, Shlozenjicini, Shalamovi…

Por, siç bëjnë kudo komunistët, edhe në Rusi këtë vit, në Magadanin e largët ku është Kolima e Shalamovit, kanë filluar t’i shuajnë gjithë objektet që tregojnë se dikur aty ka pasur të internuar e të burgosur politikë. 

Ishte udhëzim nga lartë për këtë 30 tetor që s’duhet të ketë aktivitete me përkujtu këto ngjarje. Rusët nuk kanë qejf të përkujtojnë ato kohë. Ajo që iku, iku, është preteksi i udhëheqjes për vendimin. Këtë shkruanin disa gazetarë që ndodhen në perëndim, por kolegët e tyre në Rusi ja transmetonin me gjysmë zëri. Për shembull, me logjikën se OJQ-të janë agjentura të huaja, Moska mbylli një ndër organizatat e rëndësishme që përkujtonte krimet komuniste – “Memorial”. Projekti që kishte nisur kjo organizatë që titullohej “Adresa e Fundit” dhe sillte në vëmendje të rusëve që ishin prekur nga tirania staliniste përkujtimore të vogla të atyre që u ndanë nga jeta, burgosën e internuan vetëm pse nuk ishin dakord me atë që thoshte Partia.  

Sot, gazetarët thonë se përkujtimi i terrorit sovjetik s’ka më vend në Rusinë e re putiniste.

Këtë urdhër, me siguri, e kanë gjetur te vepra 7 e Engelsit.

Po në Shqipëri e keni parë miq se si Piramida e diktatorit sot është diçka tjetër? Ajo nuk përkujton më terrorin stalinist të diktatorit Enver Hoxha. Po që nuk ka ndonjë vend ku të shohim se çfarë ka qenë një kamp internimi!!! Pllakata tek – tuk, ndonjë fjalim, ca duartrokitje dhe mbyllen 50 vjet. 

Adresa jonë e fundit është Evropa e Bashkuar. Bashkë me BE-në kemi vite që bëjmë operacione trushpëlarjeje masive. Fajin e ka Karl Marksi, mos e harroni! Enveri dhe Mehmeti vepruan ashtu vetëm pasi lexuan Marksin, se po të kishin lexuar Milton Fridmanin do ishin bërë neoliberalë si Edi Rama.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *