Historiografia jonë na e serviri Fan Nolin si themelues të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, mirëpo vet Noli ia njeh këtë meritë At Visarion Xhuvanit.
Sipas Nolit, At Visarion Xhuvani e themeloi dhe e shqiptarizoi këtë institucion në një përplasje të hapur me Patriarkun e Kostandinopojës.
“Lëvizja jonë pati sukses, sepse ajo u udhëhoq nga misionarë të klasës së parë.
Visarion Xhuvani, më vonë Kryepeshkop Mitropolit, krijoi dhe udhëhoqi de facto Kishën Autoqefale të Shqipërisë më 1929.
Visarioni ishte vërtet njëri prej peshkopëve më energjikë që ka pasur Shqipëria. Ai ishte i pari që organizoi Kishën e Shqipërisë si një kishë shqiptare.
Ai bëri më shumë se ç’i përkiste në shqiptarizimin e kishës, e cila ishte praktikisht greke deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe dëshmoi përfundimisht se mund të organizonte Kishën Autoqefale të Shqipërisë dhe ta udhëhiqte atë për shtatë vjet pa njohjen e Patrikut të Kostandinopojës.
Visarioni e detyroi Patrikun që të njihte një fakt të kryer.
Visarion Xhuvani nuk ishte anëtar i këtij Sinodi (Sinodi i parë i njohur nga Patrikana më 1937), sepse një prej kushteve të Patrikut të Kostandinopojës për njohjen e autoqefalisë së Kishës së Shqipërisë, ishte që (Kryepeshkop) Visarioni të ulej në gradën e peshkopit dhe të largohej nga veprimtaria kishtare sa të ishte gjallë.
Ky kusht dëshmon se sa shumë e urrente Patriku i Kostandinopojës këtë njeri, i cili e detyroi të shpallte dekretin e njohjes së autoqefalisë”.
Shkëputur nga libri
“Metropolitan Fan Stylian Noli – “Fiftieth anniversary book of the Albanian Orthodox Church in America, 1908-1958”, Boston, Albanian Orthodox Church in America, 1960.“
At Visarion Xhuvani u dënua me 20 vjet burg nga regjimi komunist në vitin 1945. Pësoi tortura çnjerëzore në burg, ndërsa u lirua ëê vitin 1963 në kushte të rënda shëndetësore. Ndërroi jetë në mjerim të plotë në vitin 1965.
Eshtrat e tij, ashtu si ato të Fishtës u nxorën nga varri për t’u zhdukur në vitin 1967, por një nga pjesëmarrësit në zhvarrim ishte besimtar dhe shënoi vendin ku ishin rigroposur ato.
Në librin e tij të botuar në vitin 1960, Fan Noli e trajton At Visarion Xhuvanin si të vdekur pasi nuk kishte dijeni se ai ishte gjallë në burgjet e regjimit./Besmir Lushaj