Nga Sebastian Zonja

Harta botërore për nivelet e besimit shoqëror e rendit Shqipërinë në fund (rreth 3%). Të gjitha analizat politike dhe ekonomike na thonë se sa më shumë besim ka mes njerëzve, aq më mirë funksionon shteti dhe komunitetit. Kapitali social, sipas shumë studiueve, rrit cilësinë e qeverisjes. Me aq sa shohim, ne i besojmë vetëm familjes dhe rrethit të ngushtë; ka pak “ura” midis grupeve të ndryshme shoqërore, duke sjellë dominim nga patronazhmi dhe klientelizmi, jo prej organizatave civile. Si ka mundësi që flitet kaq shumë për shoqëri civile, porse patronazhimi tregon se ajo është joekzistente?

Sepse nuk ka një sfere publike ku qytetarët debatojnë, formojnë vullnet politik dhe prodhojnë legjitimitet demokratik. Sfera publike është e copëzuar, teksa askush nuk pret që tjetri të veprojë me ndershmëri. Diskursi publik është i polarizuar, i cekët ose i kapur nga të ashtuquajturat elita, të cilat prodhojnë skandale dhe konspiracione për të mbajtur pushtetin.

Në vitet në vijim, teksa Edi Rama dhe Sali Berisha po ulen për marrëveshje të re kushtetuese ( për zgjedhoren, territorin, parlamentin dhe senatin) fatkeqësisht do shohim se si vendimmarrja politike do humbasë legjitimitetin edhe më shumë sepse qytetarët nuk e besojnë fare procesin. Kjo, me gjasë, do ngjallë lëvizje ekstremiste – në një krah islamofobët e udhëhequr nga tipat alla Ben Blushi dhe anarkistët e udhëhequr nga pseudonacionalistët pellazgë. Zhurma dhe populizmi do mbysin çdo zë të matur që mëton analizë më të thellë, ndërsa motivi “Jam pallosh” pritet të jehojë gjerësisht.

Ndërsa situata përkeqësohet, koncesionet mbeten mjeti kryesor i mbijetesës, sepse ligjet hartohen dhe kalohen përmes marrëveshjeve të ngushta interesash, jo përmes debatit të hapur. Publiku s’merr pjesë askund. S’pyetet për asgjë.
Teksa mburremi me Inteligjencën Artificiale dhe Diellën, harrojmë se zhvillimi varet nga institucionet gjithëpërfshirëse dhe mënyra se si shoqëritë adoptojnë teknologjinë. Kjo hartë dhe raportet e BE-së na tregojnë se kemi institucione jo-gjithëpërfshirëse, të dobëta dhe të kapura. Rritja ekonomike do të jetë e ngadaltë dhe e pabarabartë, nëse nuk ka ndryshime strukturore.

Vendit i mungon kapaciteti për të mbajtur brenda talentin. Emigrimi vazhdon dhe bizneset mbeten të vogla dhe jokonkurenciale. Institucionet nuk konsolidohen. Korrupsioni dhe klientelizmi mbetet strukturor. Vendimet strategjike (energjia, digjitalizimi, urbanizimi, arsimi) janë shpallje propagandistike, ndërsa bëhemi gjithnjë e më të cenueshëm ndaj krizave. Vendi ynë, pavarësisht propagandës së bukur, rrezikon të ngecë në nivelin e ekonomive me të ardhura mesatare të ulëta, pa konverguar kurrë realisht me BE-në. Për të parë nëse diçka do ndryshojë në tre dekadat e ardhshme duhet parë nëse ka investime tek rritja e kapitalit social, siç janë projektet komunitare, organizata vullnetare dhe programe rinore që lidhin grupe të ndryshme? Nëse kemi investime për një sferë publike të fortë me konsultime publike dhe forume komunitare? Asnjëra nuk duket në horizont pasi sistemi është i mbyllur dhe do vijojmë ta shohim njëri – tjetrin si armik për shkaqe feje, ideologjike apo krahinore.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *