Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, është ndaluar nga policia belge në kuadër të një hetimi të Prokurorisë Evropiane mbi një skemë të dyshuar mashtrimi të lidhur me programet e trajnimit të financuara nga BE për diplomatët e rinj. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta belge Le Soir.

Sipas raportimit, hetimet kanë çuar sot në kontrolle në selinë e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) në Bruksel, si edhe në disa ambiente të Kolegjit të Europës në Bruges. Autoritetet belge kanë ndaluar tre persona, mes tyre edhe Mogherinin, e cila aktualisht mban postin e rektores së Kolegjit të Europës dhe më herët ka shërbyer si ministre e Jashtme në qeverinë italiane të Renzit.

Hetimi lidhet me dyshime për favorizime dhe konkurrencë të pandershme gjatë dhënies nga EEAS të një programi nëntëmujor formimi për diplomatët e ardhshëm të BE-së, program që iu besua Kolegjit prestigjioz të Europës. Veprimet e dyshuara i përkasin periudhës 2021–2022.

Sipas Prokurorisë Evropiane, akuzat e mundshme përfshijnë mashtrim në procedurat e kontraktimit publik, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Hetimet po vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme mbi masat e marra apo personat e tjerë të përfshirë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *