“Në nji punim të botuem ndër tri vijime të së përkohëshmes «Hylli i Dritës» (…), u parashtrojshem lexuesvet, në nji formë sa ma të dokumentueme, veprat e gjurmët qi lanë disa nga të bijt e kombit t’ynë të shumvuejtun ndër sa shekuj në Dardhanì, si quhet endè sot nga disa shqiptarë Kosova e banorët e saj dardhanë apo dardhaj.
Kët shenim karakteristik si quhet edhe sot Kosova, prej disa pleqëvet, e mora nga profesori kosovàr, i lindun në Prishtinë, Ahmet Gashi, qi pjesën e madhe të punimit të vet të vlefshëm i a kushtoi Kosovës. Aj thotë se do t’ishte e pëlqyeshme qi kjo krahinë të niste me u thirrë prej nesh me kët emën të vjetër Dardhanì.
Për arësye të këtij shenimi të bâm, po kujtoj në kët rasë nga nji punim i prof. Carlo Tagliavini-t: Le parlate albanesi di tipo ghego orientale (Dardania e Macedonia Nord-Occidentale) at fletë ku shkruen se gjurmimet ma me auktoritet mbi atdhèn e parë të shqiptarëvet, na apin të besojmë se vendi i formimit të gjuhës shqipe ka qenë në nji tokë ku përpiqej thrakishtja me illyrishtën, sigurisht pranë atdheut të parë të rumenëvet.
Për t’a forcue ma tepër kët hypothezë, Tagliavini bjen gjykimin e N. Jokl-it në punimin e tij Albaner ke Reallexicon der Vorgeschichte i Erbert-it. I. fq. 84, ku beson se vendi i trajtimit të gjuhës shqipe àsht në Dardhanì, pranë Nishit dhe përfundon tue shkrue se në krahinën e Naissus-it (qi edhe sot nuk âsht fort larg nga ana kufijtare e gjuhës shqipe), para slavëvet kishte zanë vend nji popullsì e njinjishme me shqiptarët.”
(1943)
Publikoi: Agim Morina