Aktorja dhe regjisorja me prejardhje nga Kosova, Luana Bajrami, shënon një arritje të re në karrierën e saj ndërkombëtare. Filmi ku ajo luan rolin kryesor, “Two People Exchanging Saliva” (“Deux personnes échangeant de la salive”), është nominuar për çmimet prestigjioze “Oscar” në kategorinë e filmit me metrazhtë shkurtër, duke i hapur asaj rrugën për të parakaluar në tapetin e kuq të edicionit të 98 të Academy Awards.
Filmi bardhezi, një bashkëprodhim mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është me skenar dhe regji nga Alexandre Singh dhe Natalie Musteata. Bajrami interpreton rolin e Malaises, në një Paris distopik ku dhuna e stilizuar ka zëvendësuar paranë dhe puthjet janë të ndaluara. Komedia e errët trajton tërheqjen, rivalitetin dhe kontrollin shoqëror, ndërsa është vlerësuar më herët në festivale të rëndësishme si Telluride dhe “AFI Fest”, ku fitoi Çmimin e Madh të Jurisë. Producente ekzekutive të filmit janë Julianne Moore dhe Isabelle Huppert.
Shpallja e nominimeve për “Oscar” këtë vit shënoi edhe një moment historik për kinemanë botërore. Filmi “Sinners” i regjisorit Ryan Coogler udhëhoqi listën me plot 16 nominime, duke thyer rekordin e mbajtur më parë nga filma legjendarë si “Titanic” dhe “La La Land”. Coogler u nominua për regjinë dhe skenarin më të mirë, ndërsa Michael B. Jordan siguroi nominimin e tij të parë për çmimin e aktorit më të mirë.
Ndërkohë, Akademia vazhdoi prirjen drejt përfshirjes së filmave ndërkombëtarë. Në mesin e tyre spikat edhe drama norvegjeze “Sentimental Value”, e cila u nominua për çmimin e filmit më të mirë.
Për Kosovën, ky sukses vjen në një kohë kur vendi nuk ka dërguar kandidaturë zyrtare për filmin më të mirë ndërkombëtar për të tretin vit radhazi. Megjithatë, nominimi i filmit ku luan Luana Bajrami shihet si një përfaqësim i rëndësishëm i zërit kosovar në skenën më të madhe të kinemasë botërore.
Ceremonia e 98-të e çmimeve “Oscar” do të mbahet më 15 mars në teatrin “Dolby” në Los Angeles dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në “ABC” dhe “Hulu”, me Conan O’Brien si prezantues.

