Zbardhja e dosjes së SPAK për AKSHI-n pritet të sjellë një tjetër goditje të fortë në administratën e kryeministrit Edi Rama. Në qendër të hetimeve ndodhet Ergys Agasi, i cili dyshohet se ka regjistruar për vite me radhë çdo bisedë dhe takim në zyrën e tij përmes një kamere të fshehtë, duke dokumentuar pazare, diskutime për tendera, kazinotë, buxhetin e AKSHI-t dhe marrëveshje të tjera me zyrtarë qeveritarë apo persona të afërt me të.
Sipas burimeve nga dosja hetimore, të gjitha këto biseda janë regjistruar fshehurazi nga Agasi, ndërsa pamjet dhe materialet filmike tashmë janë administruar nga SPAK. Fotot e para janë bërë publike nga deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, si edhe nga disa media që kanë siguruar pjesë të dosjes.
Në bisedat e zbardhura, Bardhi ka veçuar komunikimet e Ergys Agasit, ku ky i fundit flet për një figurë të cilësuar si “kapo”, duke ngritur dyshime për ekzistencën e një hierarkie të qartë vendimmarrjeje dhe ndikimi në aferat e dyshuara. Ndërkohë, SYRI ka publikuar pamje filmike ku shfaqet drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e pranishme në zyrën e Ergys Agasit, çka forcon dyshimet për përfshirjen e drejtuesve të institucionit në këto skema.
Sipas hetimeve, zyrat shtetërore dyshohet se ishin shndërruar në ambiente pazaresh, ku diskutohej për ndarje influencash, favorizime në tendera dhe menaxhim fondesh publike. Materialet filmike konsiderohen prova kyçe, pasi dokumentojnë jo vetëm bisedat, por edhe praninë fizike të zyrtarëve të lartë në takime informale jashtë çdo procedure zyrtare.

