Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi mbrëmjen e sotme në emisionin Studio24 se deputeti Ervin Salianji nuk është më anëtar i Kryesisë dhe strukturave drejtuese të Partisë Demokratike.
Sipas Nokës, Salianji ka kaluar “vijën e kuqe” të PD-së duke organizuar një takim me demokratët në Elbasan me mbështetjen e personave që ai i cilësoi si të lidhur me krimin e organizuar, konkretisht Suel Çelën, Gys Agasin dhe Ben Qimen.
I pyetur nga moderatorja Ola Bruko nëse Salianji është përjashtuar nga partia, Noka theksoi se bëhet fjalë për një vetëpërjashtim.
“Zotëria nuk është anëtar i Kryesisë dhe strukturave të Partisë Demokratike. I keni informacionet gabim,” – u shpreh Noka.
Ndërsa Bruko e pyeti se prej kur Salianji nuk mban më këtë status, Noka u përgjigj:
“Që kur u vetëpërjashtua. Që kur u ul me Gys Agasin dhe Ben Qimen për të organizuar aktivitetin në Elbasan.”
Në vijim, ai sqaroi se Partia Demokratike ka një vijë të kuqe të panegociueshme, të përcaktuar edhe në statut.
“Marrëveshja me krimin dhe mafian është vijë e kuqe për PD-në. Kjo është histori e mbyllur,” – deklaroi Noka.
Duke folur për zhvillimet politike, Flamur Noka theksoi se opozita ishte në protestë një ditë më parë dhe se qëllimi kryesor mbetet rrëzimi i asaj që ai e cilësoi si “narko-regjim”.
“Kemi një qëllim: rrëzimin e narko-regjimit dhe krijimin e një qeverie teknike për të garantuar kushtet për votën e lirë, që populli të vendosë me votën e tij,” – u shpreh ai.
Noka bëri thirrje për bashkim të të gjithë demokratëve, duke theksuar se dera e opozitës mbetet e hapur për këdo që ndan të njëjtin qëllim politik.

