Dashuria e kosovarëve për Shqipërinë dhe për gjuhën shqipe është e papërshkrueshme. Ajo ishte një dashuri e shfrenuar dhe e papërmbajtur, që kishte kaluar pothuajse në vuajtje. Ne çdo zyrë të binin në sy parulla me ketë përmbajtje: “Flisni shqip, vellezër, vetem shqip!”. Gjithashtu. e papërshkrueshme është edhe mikpritja e tyre. Kudo që kemi shkelur, në çdo prefekturë, nenprefekturë e komunë, rrinin në radhë për të na ftuar për drekë ose për darkë. Në Prizren, një burrë i gjatë, i heshtur e hijerënde (të tillë ishin në përgjithësi kosovarët) iu vardis shumë Cafo Beg Ulqinakut që t’i bënte një nder të madh: të shkonim tek ai për drekë ose per darkë. Dhe, kur Cafo Begu, duke e falenderuar, i tha se ftesa të tilla i kishin berë qindra të tjere dhe se nuk dinte kujt t’ia prishte e kujt t’ia ndreqte, kosovari ia priti me një ton që nuk i kundërshtoje dot: – Atëherë, ju pres nesër as për drekë as për darkë, por për mëngjes. Nuk e besoj t’i ketë shkue kuj mendja me ju ftue për mëngjes, se nuk e kena zakon.

Nuk më harrohet mëngjesi që kemi ngrenë ne atë shtëpi të qetë e të pastër të Prizrenit, qytetit të Lidhjes së famshme.

Shtëpia ishte ndën kalanë, e kredhur ne gjelbërim. Tryezat ishin shtruar në oborr, ndën një pjergull të madhe, të mbushura me mishra të pjekur, paçe, byrekë e ëmbelsira që nuk behen as në dasma. Ne ketë mikpritje nuk kishte te bënte aspak ndikimi i personalitetit të regjentit dhe ministrave që ishin të ftuar. Mikpritje të tilla gjeje kudo, në çdo shtëpi, pa ditur cili je, mjaft që flisje shqip. 

Ne një katund te Deçanit, unë dhe doktor Gjergj Dako, vetëm ne te dy, kemi ngrënë një

syfyr (sepse ishte muaji i ramazanit) në një shtëpi patriarkale ku ishin më se dymbëdhjctë burra. As që na pyetën ç’punë bënim dhe përse kishim shkuar në Kosovë. Po thyhej mesnata dhe vazhdonte gjemimi i daulles së ramazanit kur trokitëm në atë shtëpi. E gjetëm sofrën të shtruar me të gjitha të mirat, sepse burrat e shtëpisë po uleshin per të ngrenë syfyr.

Mirëpo ata, mbasi na pritën me shumë perzemërsi dhe mbasi na pershëndetën sipas zakonit, e vonuan ngrënien e syfyrit sa te gatuheshin të tjera gjellë, për të na sajdisur sa më shumë.

Shkëputur nga vepra e Mustafa Greblleshi, “Kujtime 1939-1944”

By Editor