Opozita ka zyrtarizuar mbështetjen e saj për aktorin dhe aktivistin e njohur Florian Binaj, i cili do të kandidojë si kandidat i pavarur në zgjedhjet e pjesshme lokale për Bashkinë e Tiranës. Lajmi u bë i ditur nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas mbledhjes së strukturave drejtuese të PD-së.
Në deklaratën e tij për mediat, Berisha theksoi se pas një procesi përzgjedhjeje mes disa kandidaturave të ardhura nga brenda dhe jashtë Partisë Demokratike, si dhe nga shoqëria civile e diaspora, PD ka vendosur të propozojë për mbështetje Florian Binajn, të cilin e cilësoi si “personalitet të shquar të artit dhe luftëtar të paepur të kauzave qytetare”.
“Jam sot këtu për t’u informuar ju dhe qytetarët e Tiranës, dhe mbarë Shqipërisë, se midis kandidaturave shumë të mira që kanë ardhur direkt nga drejtues dhe personalitete të PD, tashmë të bëra publike, për të cilat unë kam vlerësimin më të madh, si dhe kandidaturave të personaliteteve të pavarura nga fusha të ndryshme, nga Shqipëria dhe nga diaspora, PD ka vendosur të propozojë për mbështetje zotin Florian Binaj,” – deklaroi Berisha.
Sipas tij, grupi i mandatuar nga PD do t’u paraqesë aleatëve opozitarë këtë propozim për ta mbështetur në mënyrë të bashkuar kandidaturën e Binajt në garën për Tiranën.
Florian Binaj është i njohur për publikun shqiptar si aktor, humorist dhe aktivist social. Në vitet e fundit, ai ka qenë aktiv në kauza që lidhen me transparencën, mjedisin dhe të drejtat e qytetarëve. Mbështetja e opozitës për kandidaturën e tij shihet si përpjekje për të bashkuar votën opozitare rreth një figure të pavarur, me qëllim krijimin e një alternative të fortë ndaj mazhorancës aktuale.