Forcat ruse kanë shtuar kontrollet e tyre ndaj civilëve në zonat e pushtuara të rajonit jugor Kerson të Ukrainës, duke arrestuar vendasit në përpjekje për të çrrënjosur rezistencën ndaj pushtimit.
Në qytetin e pushtuar të Kersonit, trupat ruse tani janë kryesisht të veshura me veshje civile dhe jetojnë në banesa civile. Sipas banorëve vendas, kjo strategji u jep mundësinë forcave ruse të forcojnë pozicionet e tyre në pritje të luftimeve që pritet të zhvillohen në rrugët e qytetit. “Në mes të kundërofensivës së Forcave të Armatosura të Ukrainës, pushtuesit kanë intensifikuar ndjeshëm masat e filtrimit.”- tha të hënën Qendra Kombëtare e Rezistencës, një krijim i Forcave të Armatosura të Ukrainës. “Bastisjet në mesin e popullatës lokale janë intensifikuar në pjesën e pushtuar përkohësisht të rajonit Kerson. Pushtuesit po kërkojnë të përparojnë me lëvizje të nëndheshme”.
Qendra Kombëtare e Rezistencës shtoi se ishte në dijeni të dhjetëra ndalimeve gjatë ditëve të fundit duke u bëri thirrje civilëve që të largohen nga territoret e pushtuara nëse është e mundur, ndëkohë që ushtria ukrainase po ndërmerr një kundërsulm në përpjekje për të rimarrë territoret e pushtuara nga agresori rus.
Lufta në Ukrainë po ashpërsohet përditë e më shumë, sidomos pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjitike të Ukrainës. “Skenare më të vështira na presin në ditët në vazhdim.”- tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitshko.
Burimi :CNN