Kombëtarja do të zhvillojë provat e fundit në Leskovc dhe trajneri Silvinjo pritet të kristalizojë formacionin titullar. Megjithëse ai zakonisht e zbulon formacionin e plotë paraditen e ndeshjes gjatë analizës taktike, ideja bazë është tashmë e qartë.
Në portë, Strakosha mbetet zgjedhja e parë dhe e padiskutueshme. Vijën mbrojtëse pritet ta përbëjnë Hysaj në krahun e djathtë dhe Mitaj në të majtë, ndërkohë që në qendër alternativat janë të kufizuara – Ajeti dhe Gjimshiti mbeten titullarë të sigurt.
Mesfusha do të formohet nga Ramadani, i cili është rikthyer dhe pritet të nisë nga minuta e parë, së bashku me Asllanin dhe Shehun. Në repartin ofensiv mund të ketë lëvizje. Broja shihet si titullar në të djathtë, ndërsa në qendër të sulmit Rei Manaj është favorit për të nisur nga fillimi.
Dilema që mbetet është krahun i majtë i sulmit, ku po garojnë Nedim Bajrami dhe Arbër Hoxha. Aktualisht Hoxha duket më i avantazhuar falë formës së mirë me klubin e tij, ndryshe nga Bajrami që ende nuk është përshtatur te Rangers dhe ka pak minuta në këmbë.