Rrjeti amerikan Fox News i kushtoi një shkrim çështjes së Charles McGonigal lidhur me dosjen e tij referuar lidhjeve me figura të rëndësishme politike dhe biznesmenë në Shqipëri.
Në artikull theksohet se dosja në fjalë ka akuza më të rënda se ajo e komplotit të McGonigal me oligarkun rus Oleg Deripaska.
Sipas Fox News, McGonigal rrezikon dënimin me shumë vite burg pasi ai po punon me hetuesit për arritjen e një tjetër marrëveshje si në rastin e komplotit me Deripaskan.
“Ish-zyrtari i FBI-së që luajti një rol në hetimin Trump-Rusi dhe së fundmi u deklarua fajtor për akuzat për komplot me një oligark rus, i ka kërkuar një gjykatësi federal në Uashington, më shumë kohë për të hartuar një marrëveshje për pranimin e fajësisë në lidhje me një dosje të dytë, me akuza shumë më të rënda, e cila mund ta çojë atë pas hekurave për dekada.
Muajin e kaluar, Charles McGonigal, ish-kreu i divizionit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, u deklarua fajtor për një akuzë të vetme për komplot për të shkelur Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente dhe për të kryer pastrim parash në lidhje me një marrëveshje të vitit 2021 për t’i ofruar shërbime oligarkut të sanksionuar, Oleg Deripaska.
McGonigal u godit po ashtu në fillim të këtij viti me një aktakuzë me nëntë pika në Distriktin e Kolumbias pasi dyshohet se ka kërkuar dhe ka fshehur të paktën 225 mijë dollarë në gara të gatshme që dyshohet se i kishte marrë nga një ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare, ndërsa punonte për FBI-në, duke mashtruar byronë për udhëtimet e tij jashtë vendit, për t’u takuar me shtetas të huaj.
Në një urdhër të depozituar në Uashington, gjykata federale të hënën, gjyqtarja Colleen Kollar-Kotelly shtyu seancën dëgjimore për statusin e McGonigal, të planifikuar fillimisht për të mërkurën, deri më 22 shtator.
Avokatët e McGonigal kishte depozituar një kërkesë për të shtyrë afatin për t’u dhënë kohë palëve për të negociuar një zgjidhje të mundshme të këtij rasti përpara seancës së ardhshme.” – theksohet në artikull.