Fragment nga nji prej kryeveprave te letërsisë shqipe – “Vjeshta e Xheladin Beut”

Mitrush Kuteli

“…Ja kështu!

Puna e bejllëkut dhe e çiflikllëkut do marifete. Dhe marifetet mblidhen e shtohen brez pas brezi, nga babai, nga gjyshi e më tej. Këto marifete Xheladin Beu i kish në xhep dhe i nxirrte një nga një a të gjitha bashkë, si t’ja donte puna. Veç kësaj, duhet ta dini se ai kishte zënë të gjitha shtigjet, shpatullat i kishte të ngrohta dhe i kthente gjithnjë andej nga ngrohte dielli, duvaxhi me mish e me shpirt i “llambës së dynjasë”, Baba Sulltanit, të cilit i dërgonte kur e kur peshqeshe: mahmudije të verdha e çupa të bardha, nga çifligjet e tija. Nuk e harronte Kapu Aganë, as sadrazemin, as sulltan-validenë, as adëmin e madh, të parin e haremllëkut të sulltanit, që të mbyllnin sytë kur Xheladin Beu zgjeronte çifligjet lart e poshtë, në stërkat e bujqësisë, në zabelët dhe tokat e buta pa zot. Nuk përzihej fort në gërnjat e të mëdhenjve të mbretërisë, po kur i vinte ndonjë bumbashir e i thosh se Baba Sulltani kish luftë s’di se ku, në Qyrdistan, në Rabistan apo në Tinglimajmunistan, beu i dërgonte karvanë me imdate e njerëz me dyfegje, që do të linin kokat andej. Po mbi të gjithë, beu mbështetej tek i vjehrri, që ish bir veziri, mbështetej tek të kunetërit, që ishin të gjithë në bukë të madhe.

Me gjithë këto të mira që zumë në gojë e ato që nuk i zumë fare – kazanët e qypat dinga me mahmudije të verdha nga ato të merhum sulltan Mahmutit, me dupje lira, ingjiliska e verdhashka të ndryshme të kauristanit (s’prish punë se i kish prerë kauristani, alltën ishin edhe këto, nuk i hante ndryshku) dhe që i shtoheshin mot për mot, kukumale – me gjithë ata trimat mustaqepresh e mustaqerruar, që kish nënë urdhër e që s’linin të fluturonte as zogu pa lënë poshtë ndonjë pendë, se nuk i ushqente më kot me mish të majmë e somune të bardha, Xheladin Beu ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër (po, brenda në zemër) atij mëngjezi të ëmbël vjeshte.”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *