Franca dhe Gjermania, dy shtetet udhëheqëse të Bashkimit Evropian, kanë hartuar një dokument të përbashkët në të cilin shprehin shqetësimin e thellë për situatën gjithnjë e më të tensionuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Sipas vlerësimit të përbashkët, situata në këtë vend është afër daljes jashtë kontrollit, kryesisht për shkak të veprimeve të Republikës Serbe të Bosnjës, e cila po funksionon gjithnjë e më shumë si një entitet i pavarur.

Në dokument thuhet se Republika Serbe ka krijuar një strukturë të vetën ligjore dhe institucionale, duke injoruar në mënyrë të hapur autoritetin e institucioneve shtetërore në Sarajevë. Sipas Berlinit dhe Parisit, kjo qasje paraqet një kërcënim serioz për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës.

Frika nga ndikimi rus në Ballkan

Pavarësisht se udhëheqësi i Republikës Serbe, Milorad Dodik, nuk ka kapacitete ushtarake të mirëfillta – duke disponuar vetëm forca policore – dhe se Republika Serbe përballet me sfida ekonomike dhe emigracion të lartë, lidhjet e tij të ngushta me Rusinë e bëjnë situatën veçanërisht shqetësuese për vendet evropiane. Ekziston frika se kjo entitet mund të shndërrohet në një bazë ruse në Ballkan, gjë që do të rrezikonte seriozisht stabilitetin rajonal dhe interesat strategjike të BE-së.

Për këtë arsye, Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë masa të forta politike dhe diplomatike për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të ruajtur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Asociacioni në Kosovë, një tjetër pikë tensioni

Ndërkohë, vëmendja e aktorëve perëndimorë mbetet e fokusuar edhe në Kosovë, veçanërisht te çështja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo strukturë, sipas kritikëve, ka ngjashmëri të dukshme me modelin e Republikës Serbe në Bosnjë – një entitet me autonomi të theksuar që mund të sfidojë autoritetin qendror në Prishtinë në të ardhmen.

Kritikat ndaj qëndrimit të fuqive perëndimore nuk mungojnë: ndërsa shprehin vendosmëri për të mos lejuar ndarjen e Bosnjës, ata po ushtrojnë presion për krijimin e një mekanizmi në Kosovë që, sipas shumë analistëve, mund të prodhojë të njëjtat probleme strukturore dhe politike pas një ose dy dekadash.

Dy standarde në qasjen perëndimore?

Disa zëra kritikë e konsiderojnë këtë qasje të Uashingtonit, Berlinit dhe Parisit si të paqëndrueshme dhe kontradiktore. Përpjekjet për të ruajtur integritetin territorial të Bosnjës bien në kontrast me presionin për krijimin e Asociacionit në Kosovë, i cili mund të hapë rrugën për përçarje të ngjashme në të ardhmen.

By Editor