Franca deklaroi të shtunën se njohja e një shteti të Palestinës është një “hap thelbësor” në rrugën drejt paqes dhe stabilitetit rajonal, duke riafirmuar angazhimin e saj për një zgjidhje me dy shtete, bazuar në të drejtën ndërkombëtare.
“Ndërsa Franca përgatitet të njohë Shtetin e Palestinës, le të kujtojmë njohjen e Shtetit të Izraelit nga Franca më 24 janar 1949”, tha Ministria e Jashtme Franceze në një postim në X (ish-Twitter).
Duke cituar një letër historike nga ish-ministri i Jashtëm Robert Shuman, ministria theksoi se njohja e Izraelit nga Franca në vitin 1949 nuk paragjykoi kufijtë përfundimtarë – një parim që ajo tani e pasqyron në qasjen e saj ndaj njohjes së Palestinës.
“Tre të katërtat e një shekulli më vonë, njohja e një Shteti të Palestinës është një hap thelbësor në rrugën drejt paqes dhe stabilitetit rajonal”, shtoi ministria.
Sipas deklaratës, njohja zyrtare do të ndihmonte në lehtësimin e “negociatave të domosdoshme” mes izraelitëve dhe palestinezëve për çështjet e statusit përfundimtar, përfshirë kufijtë.
Presidenti francez Emanuel Makron njoftoi të enjten se Parisi do ta njohë zyrtarisht Palestinën gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.
Franca pritet të bëhet anëtari i parë i G7-ës — grupi i shtatë ekonomive më të mëdha të përparuara në botë — që njeh shtetin palestinez. Deri më tani, 147 nga 193 shtete anëtare të OKB-së e kanë njohur zyrtarisht Palestinën.
Ky veprim vjen në mes të ofensivës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, që nga 7 tetori 2023, e cila ka shkaktuar vdekjen e afro 60,000 palestinezëve – shumica gra dhe fëmijë – si dhe ka çuar në kolaps të sistemit shëndetësor dhe mungesa të rënda ushqimore në Gazë.