Franca pritet të shqyrtojë gjatë muajit janar një projektligj që synon ndalimin e aksesit në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, si dhe kufizimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme, raportojnë mediat e huaja.
Projektligji do të shqyrtohet nga Këshilli i Shtetit më 8 janar dhe parashikon që ndalimi i rrjeteve sociale për të miturit nën 15 vjeç, si dhe ndalimi i celularëve në shkollat e mesme, të hyjë në fuqi nga viti i ri shkollor, konkretisht në shtator 2026.
Burime qeveritare bëjnë të ditur se ky projektligj është hartuar në përputhje me legjislacionin evropian, ndryshe nga një përpjekje e mëparshme që kishte dështuar pikërisht për arsye ligjore.
Në muajin nëntor, presidenti francez Emmanuel Macron kishte deklaruar se synon zgjerimin e ndalimit të telefonave celularë në shkollat e mesme që nga viti shkollor 2026–2027, si dhe vendosjen e një ndalimi për rrjetet sociale për të rinjtë nën moshën 15 ose 16 vjeç.
Aktualisht, ndalimi i përdorimit të telefonave celularë është në fuqi nga kopshtet deri në shkollat e mesme, bazuar në një ligj të miratuar në vitin 2018, ndonëse zbatimi i tij ka hasur shpesh vështirësi.
Sipas studimeve të shumta akademike, përdorimi i rrjeteve sociale nga të rinjtë paraqet rreziqe serioze për shëndetin mendor, ndërsa telefonat celularë konsiderohen gjithashtu një burim i madh shpërqendrimi për adoleshentët.

