Kryeministri Edi Rama mbajti këtë të martë konferencën e fundit për mediat për vitin 2025, e cila zgjati rreth tre orë, ku trajtoi çështje që lidhen me qeverisjen, funksionimin e shtetit dhe raportet mes institucioneve.
I ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, analisti Frrok Çupi vlerësoi se Kryeministri u largua nga klishetë e zakonshme të fundvitit, duke mos u ndalur te shifrat formale, por duke u përqendruar te ajo që ai e cilësoi si “qeverisje e shkathët”, një model që sipas tij aplikohet në vendet më të zhvilluara.
Sipas Çupit, në qendër të fjalës së Ramës ishte raporti mes pushteteve, me theks të veçantë te sistemi i drejtësisë dhe balanca institucionale në një shtet demokratik.
“Kryeministri doli nga klishetë e përvitshme. Nuk u ndal te shifrat e mërzitshme që publiku i njeh tashmë, por kaloi te qeverisja e shkathët, një koncept që zbatohet në vendet më të zhvilluara të botës,” u shpreh Çupi.
Analisti shtoi se Rama ngriti një nga problematikat që, sipas tij, ka dominuar vitin 2025: marrëdhënien mes institucioneve të drejtësisë dhe pushteteve të tjera shtetërore.
“U prek një çështje shumë e madhe, raporti i trupave të drejtësisë me institucionet e tjera të shtetit. Janë cenuar disa parime themelore të shtetit demokratik dhe është e nevojshme radhitja e pushteteve, pasi burimi i tyre është populli, sovrani,” theksoi ai.
Çupi nënvizoi gjithashtu se vitet e fundit është krijuar një lloj “tabuje” rreth sistemit të drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut dhe prokurorëve, duke paralajmëruar për rrezikun e tejkalimit të kompetencave.
“Mund të kishim përfunduar në një situatë të rëndë, nëse parlamenti dhe institucionet nuk do të kishin vendosur një barrikadë ndaj përpjekjeve për kapjen e pushtetit nga gjyqtarë apo prokurorë. Ndalja e këtij vrulli është e domosdoshme për risistemimin e shtetit,” përfundoi analisti.

