Nga Ermal Mulosmani
Katundarin kozmopolit si kategori njerëzore e kemi hasur të gjithë. Nëpër katunde të vogla apo qendra province, gjithmonë ndeshim tipa të tillë. Ata dinë gjithçka, flasin për filozofi, për Dostojevskin e Niçen, shkruajnë poezi, janë ëndërrimtarë…
Por, mbi të gjitha, merren me Gjeopolitikë. Ajo është pasioni më i madh i tyre. Politikat globale amerikane, Trumpi apo Bideni, e ardhmja e Palestinës apo Pranvera Arabe janë preokupimi tyre madhor.
Ata nuk flasin kurrë për hallet e fshatit të tyre, të qytetit apo edhe shtetit vocërrak. Këto janë çikërrima për çapaçulë, janë kategori inferiore për ta. Ata kanë lindur të rritur. Nuk lexojnë as Mark Twein-in apo Zhyl Vernin. Lindja e tyre në provincë ishte një shaka e fatit, një kapriçio, një aksident historik…
Haptas e shfaqin mosdashurinë për vendin ku jetojnë. Ai u rri ngushtë. Nuk janë të kënaqur që fati i degdisi atje në një skutë të botës, iu dha një emër të tmerrshëm dhe një familje krejt të parëndësishme. Për më shumë, urrejnë edhe fytyrën e tyre që nuk doli jashtë kontekstit provincial. Tentojnë të bëhen ndryshe duke adaptuar sjellje e veshje moderne por gjithçka u stonon. Kanë mllef të madh që u buis nëpër pore dhe iu shpërfaqet në çdo fjalë. Nuk qeshin kurrë, versioni “i qeshur” i tyre mbetet një enigmë sot e kësaj dite…
Ata e quajnë për fyerje të kenë mendime pozitive për dikë. Çdo fjalë që flasin, çdo shkrim që shkruajnë është një blozë e helmatisur…
Tipa të tillë krijojnë miqësi me jabanxhinjtë e qytetit, veçanërisht ata të ardhur nga kryeqendra. Me ata shoqërohen natë e ditë, është mënyra e tyre e protestës… E shpallin veten liberal se konservator u duket “prapanik”. Përpiqen gjithë kohën të ndërtojnë opinione vetjake dhe, kur nuk ia arrijnë, i përafrojnë qëndrimet me njerëzit më të përveçëm të opionionit publik. Rrinë të heshtur në tavolina vërsnikësh ose flasin për Fukujamën apo Huntigtonin, tema që ata i kanë fort për zemër…
Shokët zakonisht tallen me tipa të tillë, u hedhin romuze. Psh, i pyesin për konjukturat politike të Italisë. Ky fillon përgjigjet me pasion të madh. Ata e nënqeshin e tallen duke prekur njëri tjetrin me bërryla. Kur ky e kupton që po tallen është vonë.
Natën nuk i zë gjumi, kur i zë shohin makthe. Nëse shohin ëndrra të bukura e plot lavdi personale i shkatërron zhgjëndrra. Shtrëngojnë grushtet e betohen se do të hakmerren ndaj këtij realiteti, se do shkojnë në Tiranë e do kuptojnë këta injorantë se kush janë ata….
Ardhja në kryeqendër e këtyre tipave shoqërohet me etje të pashuar për hakmarrje. Më së shumti urrejnë të vetët. Madje nuk kufizohen me urrejtjen për provincën apo zonën e tyre por urrejtja përfshin krejt veriun!
Frroku psh nuk ka turp të shkruajë tituj të tillë “Lezhjani për lezhjanin është ujk”. Tropojanët i ka tmerr por jo më pak edhe shkodranët, mirditorët, laçjanët, dibranët…
Zemra ia do gjirokastritët, përmetarët, kolonjarët, vlonjatët, korçarët, devollinjtë… Atje duhej të kishte lindur dhe të kishte ardhur si prurje intelektuale e tyre në Tiranë! Si Dritëroi, Edi, Ismaili, Spartaku… Fundja edhe si Mero.
Por erdhi si Frrok mirditori! Kjo sigurisht është e tmerrshme!
Prandaj Frroku vendos të bëjë ndryshimin e madh, të bëhet i përveçëm! Këtu, qytetarët kozmopolitë e kanë njëfarë vazhdueshmërie në qëndrime, njëfarë etike komunikimi. Edhe Preçi i bën me stil kalimet, gjen një pretekst, një arsye që t’ia ruajë dinjitetin. Ndërsa Frroku jo…
Ai mund të kalojë nga një gjendje në një tjetër, brenda pak muajsh, pa pasë aspak brengë në ndërgjegje. Piruetat e “Kalimeve të Rubikonit” të tij janë shembull botëror. Mundet në Shkurt te shprehej për Presidentin e Republikës si “burrë shteti” që krijoi “Fronin e Presidentëve” për të mbrojtur detin nga Greqia. Ose mund të shkruante seriozisht “Ilir Meta ka në dorë fatet e Ballkanit” po ato ditë…Kjo rastësisht koincidonte edhe me një premtim emërimi të Frrokut në Vatikan. Mirëpo ky burrë shteti u kthye në armikun më të madh publik kur emërimi nuk erdhi. Ose sharjet e ndaj Edi Ramës për shkak të të atit eksponent komunist që kishte vrarë poetin disident Havzi Nela u konvertuan në keqardhje për Kristaqin e ndjerë që kishte firmosur “i detyruar” për një “poet nga Kukësi”! Asgjë nuk kishte ndodhur qysh nga deklarimi i parë. Vetëm se Edi Rama tashmë ishte Kryeministër. Havziu i shkretë nuk kishte më emër por vetëm origjinë, Kristaqi tashmë ishte viktimë e paragjykimeve ndaj sistemit komunist…
Pikërisht këto pirueta kaq të paskrupullta e të pamoralshme, kaq mercenare e servile, e bëjnë dallimin e Frrok Çupit nga të gjithë provincialët kozmopolitë, e bëjnë yllin e padiskutueshëm të kozmopolitizmit katundar.
Kolegët e shohin si rast studimor. Ia lexojnë shkrimet të mahnitur. Edhe pse i plakur vazhdon të lëshojë gëlbazë të trasha mbi dinjitetin njerëzor si mbeturinë e idealizmit provincial!