Nga Agim Morina
Ajo çfarë tha dje kryetari i LDK-së, Lumir ABDIXHIKU, në konferencë për media është shumë domethënëse. Ndër të tjera ai tha:
«Nuk e kam ndërmend as të tradhtoj votuesin e LDK-së e as ta vendos këtë votues në situata të palakmueshme që të ndihet i mashtruar. Kjo kohë ka përfunduar.»
Le të nisim nga fundi:
Kur Abdixhiku thotë se «(k)jo kohë ka përfunduar», ai i referohet të gjitha veprimeve politike të kaluara të LDK-së deri te ai, si kryetar i partisë. Sipas tij, në të kaluarën, LDK-ja e paska tradhtuar votuesin e vet. Pse e paska tradhtuar? Sepse, me gjithë votat e votuesve të LDK-së, për ndonjë synim që vetëm Abdixhiku i di, vullneti i tyre nuk qenka realizuar sipas përcaktimit të tyre. Çfarë ka ndodhë? LDK-ja, në vend që të qeverisë e vetme, kur i ka fitu zgjedhjet, ose të qëndrojë në opozitë kur i ka humbë zgjedhjet, ajo paska bë koalicione. Kjo, sipas Abdixhikut, ka qenë «tradhti», «situatë e palakmueshme» dhe «ndjenjë mashtrimi» për votuesin e LDK-së.
Vërtet? Prej kur paska nisë një «tradhti» e këtillë? Cilës pikë të së kaluarës i referohet Abdixhiku? Që nga koha kur LDK-ja ka bë koalicione. E dihet që LDk-ja ka bë koalicione që nga koha para e pas çlirimit të Kosovës. Kjo do të thotë që kur LDK-ja fitoi zgjedhjet, gjatë kohës sa ishte Ibrahim Rugova kryetar, dhe bëri koalicion me AAK-në, paskësh «tradhtu votuesin e LDK-së» dhe e paska vendosë këtë votues «në situata të palakmueshme» duke e bë me u ndi «i mashtruar». Kjo vlen doemos për të gjitha koalicionet që ka bë LDK-së që nga Rugova, Sejdiu e deri te Isa Mustafa, sepse të gjitha këto qeverisje kanë qenë me koalicione, kryesisht me PDK-në.
Në një mënyrë, Abdixhiku po bën luftë në dy fronte: po e ban spastrimin brenda partisë nga elemente destruktive që e paskan «tradhtu votuesin» sepse paskan bë koalicione. Problemi është që nëse kjo paskësh qenë «tradhti», atëherë votuesi i LDK-së qenkësh votues idiot, sepse pas çdo palë zgjedhjesh LDK-ja ka bë koalicione, – ajo që sipas Abdixhikut qenkësh «tradhti», – dhe votuesi besnik i LDK-së prap e ka votu LDK-në, me ngritje e rënie që janë normale pas çdo gare politike.
Loja me kartën e «tradhtisë» dhe «mashtrimit» për veprimet e kaluara është karta më e ndytë që ka prodhu skena partiake e LDK-së nga brenda. Më e rëndë edhe se ajo ping-pongu i karrigeve mbi kokat e anëtarësisë. Në të vërtetë kjo tregon se LDK-ja e Abdixhikut as që është më LDK, duke qenë se krejt veprimtarët e mëparshëm të LDK-së paskan «tradhtu» e paskan «mashtru» votuesin e saj dhe duhet të eliminohen. Ata edhe u eliminuan në emër të një premtimi se pas këtyre spastrimeve do të vijë fitorja e LDK-së. Por, ajo nuk erdhi. LDK-ja u rendit e treta dhe Abdixhiku nuk dha asnjë përgjegjësi për këtë. Kush t’i kërkojë përgjegjësi dhe kujt t’i jepte përgjegjësi Abdixhiku, kur ai e ka kthy LDK-në në kompani biznesore të Institutit Riinsvest, duke e rrethuar veten me këlyshë të dëgjueshëm. Në këtë mënyrë bëhet e qartë që Abdixhiku në emër të forcimit të LDK-së, forcoi pozicionin e tij. Dhe në këtë vijë mashtruesi i vërtetë i votuesit të LDk-së del me qenë pikërisht Lumir Abdixhiku.
Kështu mund të përfundohet se të gjitha veprimet e Abdixhikut, që nga koha kur e mori timonin e partisë, nuk kanë asnjë lidhje me «frymën rugoviane», e cila, ç’është e vërteta, u këput përfundimisht me zgjedhjen e Isa Mustafës si kryetar të LDK-së, kundërshtarin më të egër të Ibrahim Rugovës. Abdixhiku tash vetëm po ia jep goditjen përfundimtare rugovistëve të fundit brenda partisë së tij duke i qujtë «tradhtues të votës» dhe «mashtrues». Këtë po e bën në emër të dofarë parimesh të palëkundshme, pikërisht në kohën kur po shkel mbi të gjitha parimet, kur po përpiqet që si parti e tretë të marrë postin e «kryeministrit unifikues» për me marrë sa më shumë pushtet që votuesi nuk i ka dhënë. Nëse koalicionet e deritashme të LDK-së paskan qenë «tradhti» ngaqë nuk qenkësh përcjellë vullneti i votueve, a nuk del se është tradhti kur votuesit e Kosovës zgjedhin LDK-në si parti e tretë, ajo, me Abdixhikun, të pretendojë postin e kryeministrit, pa vullnetin e këtij elektorati? Si mund të bëhet «kryeministër unifikues» dikush që as brenda partisë së vet nuk është «kryetar unifikues»?