Shqipëria do të zbresë në fushë më 11 tetor në Leskovac, përballë Serbisë, në një ndeshje vendimtare për kualifikueset e Kupës së Botës. Përveç rëndësisë sportive, sfida mbart edhe ngarkesë politike, duke kujtuar episodin e bujshëm të vitit 2014, kur ndeshja mes dy kombëtareve u ndërpre pas incidentit me dronin dhe Shqipëria fitoi në tavolinë.
Këtë herë, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të zbatojë një rregull të hekurt: heshtje totale nga lojtarët. Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se futbollistëve u është ndaluar të flasin për ndeshjen dhe për Kombëtaren, në mënyrë që të shmangen deklaratat emocionale apo patriotike që mund të interpretohen si provokim nga pala serbe. Ky vendim shihet edhe si një përpjekje e FSHF-së për të ruajtur idenë se futbolli duhet të qëndrojë i ndarë nga politika, ndonëse bie ndesh me faktin që Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë bashkë Europianin U-21 në vitin 2027.
Problemet me tifozët
Nuk është hera e parë që FSHF tregohet e kujdesshme për përballjet me Serbinë. Në ndeshjen e zhvilluar disa muaj më parë në Tiranë, u aplikua një sistem i ri për shitjen e biletave, ku tifozët duhej të aplikonin paraprakisht dhe më pas të përzgjidheshin. Ky mekanizëm shkaktoi pakënaqësi dhe solli mungesën e grupeve të njohura të tifozëve, përfshirë “Tifozat Kuqezi”, që tradicionalisht kanë qenë pranë Kombëtares.
Lojtarët dhe mediat
Edhe pas miqësores me Letoninë, futbollistët u treguan të rezervuar, duke i cilësuar përballjet me Serbinë thjesht si ndeshje futbolli. Tashmë, me urdhrin e ri të FSHF-së, komunikimi me mediat është kufizuar edhe më tej, në një kohë kur interesi i publikut për ndeshjet e Kombëtares duket në rënie, gjë që reflektohet edhe në ritmin e ulët të shitjes së biletave.