Nga Enis Sulstarova
(artikull i botuar në revistën “Shenja”, dhjetor 2022)
1. Fundi i paralajmëruar i negociatave
Më datën 21 nëntor në bisedimet e Brukselit nuk u arrit një marrëveshje e re për targat e automjeteve që janë të regjistruara në Republikën e Kosovës. Kjo shënon edhe fundin e negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Sigurisht që takimet e nivelit të lartë, të nxitura nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mund të vijojnë, ato do të jenë formale, sa për të treguar vullnetin e palëve për të vijuar bisedimet, sepse në thelb negociatat kanë dështuar. Dështimi i tyre ishte i paralajmëruar me kohë, qëkur ato filluan. Gjithçka që kanë arritur është ngrirja në kohë e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës për statusin politik të Republikës së Kosovës.
Përgjegjësia për dështimin e tyre është e dy palëve dhe e BE-së si ndërmjetëse e tyre. Sigurisht që peshën kryesore për dështimin e mban Serbia, sepse ajo është shkaktare e konfliktit. Qeveritë e njëpasnjëshme të Serbisë dhe sidomos ato të drejtuara nga Vuçiqi, kanë mbajtur të njëjtin qëndrim të palëkundur: mosnjohjen e ekzistencës së Republikës së Kosovës dhe janë përpjekur me mënyra të ndryshme për ta minuar këtë shtet, si në aspektin e brendshëm, po ashtu edhe të jashtëm. Nga brenda Kosovës kanë shfrytëzuar marionetat e tyre në gjirin e pakicës serbe, përplasjet politike midis partive dhe faktin që disa nga drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës kanë qenë thellësisht të korruptuar dhe dyshuar për pjesëmarrje në vrasje e krime të tjera. Në sferën ndërkombëtare, udhëheqësit e Serbisë ia kanë dalë me sukses të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të prapësojnë njohje të disa shteteve (një lëvizje e dyshimtë kjo për sa i përket ligjit ndërkombëtar, sepse pasi një shtet e njeh zyrtarisht një tjetër, nuk ka se si ta tërheqë njohjen, por thjesht mund të mos bëjë hapa të tjerë për të thelluar marrëdhëniet me të). Gjithashtu, në politikën rajonale, Serbia ka qenë e suksesshme në neutralizimin e Republikës së Shqipërisë, diplomacia e së cilës nuk po duket se po angazhohet shumë për të siguruar njohje të tjera për Kosovën, por për reklamimin butaforik të projektit të “Ballkanit të Hapur”, ku Kosova nuk merr pjesë.
Përgjegjësia e udhëheqësve politikë të Republikës Kosovës ka nisur me pjesëmarrjen e tyre në negociata me Serbinë, pa pasur një kornizë të qartë institucionale për to, pa një dokument themeltar që do të përcaktonte se për çfarë do të bisedohej dhe çfarë temash do të ishin jashtë diskutimit. Negociatat nisën si bisedime teknike, për lëvizjen e lirë të njerëzve etj., por u shndërruan në politike, pra për qeverisjen e brendshme të Kosovës. Drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, në radhë të parë Hashim Thaçi e Isa Mustafa, jo vetëm që nuk e ndalën këtë zhvillim të dëmshëm, por e pranuan dhe vijuan në këtë rrugë pa krye. Kështu, ata firmosën dokumente për themelimin e Zajednicës, zbatimi i të cilave u pengua nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili tregoi se ku po shkonin negociatat me Serbinë. Me fjalë të tjera, krerët e Kosovës po bisedonin për çështje që ishin atribut sovran i Kosovës dhe po merrnin vendime të jashtëligjshme, përtej dispozitave të Pakos Ahtisari. Kulmi u shënua kur u bë e njohur se Vuçiqi e Thaçi po bisedonin fshehurazi për shkëmbime territoresh, sipas të cilave komunat në veri të Kosovës, ku jeton një pjesë e pakicës serbe dhe ku gjenden rezerva minerale dhe rezervuari ujor më i madh i Kosovës, do të shkëmbeheshin me territore të papërcaktuara qartë (d.m.th. sipas përcaktimeve që do të bënte vetë Serbia) në Luginën e Preshevës, ku mbizotërojnë shqiptarët. Fakti se këto bisedime po zhvilloheshin pa pasur një njohje zyrtare të kufijve shtetërorë aktualë të Kosovës, tregon se jo vetëm organizimi i brendshëm i komunave në Kosovë, por edhe territori ishte nxjerrë në pazar, në këtë mënyrë duke vënë në dyshim shtetësinë e Kosovës. Dëshira për protagonizëm vetjak, injoranca e mospërgatitja, ngutja për t’u dukur bashkëpunues dhe për të marrë përkrahje ndërkombëtare e mbrojtje ndaj akuzave për korrupsion e krime të tjera, bënë që dyshja Thaçi-Mustafa, por edhe ecja e Haradinajt në të njëjtën rrugë me ta, t’i shkaktonin Kosovës humbjen e mbi 8,000 hektarëve në demarkimin kufitar me Malin e Zi, vendosjen e Zajednicës si temë në agjendën e bisedimeve asimetrike me Serbinë, mosfitimin e njohjeve të reja ndërkombëtare, izolimin, moszhvillimin etj.
Kryeministri Albin Kurti është i vendosur që të mos përsërisë këto gabime dhe qysh në fillim vendosi reciprocitetin me Serbinë, gjë u pasqyrua edhe në temat që ai rihapi apo hapi nga fillimi në negociatat me Serbinë: kthimi i trupave të të vrarëve, kthimi i artefakteve kulturore dhe i regjistrave kadastralë, zbatimi i ndërsjellë i marrëveshjeve të arritura deri tani për lëvizjen e lirë (ku përfshihet edhe problemi i targave), pranimi i përgjegjësië nga Serbia për gjenocidet ndaj shqiptarëve, statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nënshkrimi i një traktati paqeje e mos-sulmi etj. Kthesa e shënuar nga ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje! shënoi edhe ndryshimin në qasjen ndërkombëtare në lidhje me negociatat. Për herë të parë u tha qartë se rezultati i pritshëm i tyre është njohja e ndërsjellë midis dy shteteve. Prandaj, Vuçiqi, i cili së fundi u ribetua të mos e njohë Kosovën, po përpiqet që dështimin e negociatave t’i lerë në derë kryeministrit Kurti. Në gjithë këto zhvillime, është e çuditshme se si edhe opozita e tanishme në Kosovë po qëndron ende nën hijen e Thaçit dhe të Mustafës dhe po vijon ende rrugën pa krye, gjoja në emër të aleancës me faktorin ndërkombëtar!
Përgjegjësia e diplomacisë së BE-së (nën emrat e përveçëm të Ledit Eshtonit, Mogerinit, Borrellit e Lajçakut) qëndron, së pari, në asimetrinë që u vendos qysh në fillim midis dy palëve. BE-ja nuk e njeh Kosovën (për shkak të refuzimit të njohjes nga pesë shtete anëtare) dhe nuk ka se si t’i premtojë Kosovës shpejtimin e procesit të integrimit, ndërkaq procesi i integrimit të Serbisë gjatë dekadës së fundit ka vijuar, vetëm e vetëm sepse Serbia ka qenë e gatshme të negociojë me Kosovën. Ky ka qenë një përfitim i madh i Serbisë, që i ka lejuar asaj të luajë si me Perëndimin, apo ashtu edhe me Rusinë dhe Kinën. Duke mos pasur ndonjë fuqi penguese apo detyruese mbi Serbinë, në krahun tjetër diplomatët e BE-së kanë ushtruar trysni mbi përfaqësuesit e Kosovës për zbatimin e Zajednicës, edhe pse e dinë mjaft mirë se marrëveshja është kundër-kushtetuese dhe se zbatimi i saj do ta bënte jofunksional shtetin e Kosovës. Mirëpo diplomacisë së BE-së “suksesin” e negociatave e ka matur me mbajtjen e Serbisë jashtë prehrit të Rusisë, ose më saktë, me mbajtjen e Serbisë sa në prehrin e Perëndimit, sa në atë të Rusisë. Mbizotërimi i psikologjisë së “negociatave për hir të negociatave” te diplomatët e lartë të BE-së ka bërë që ata as të mos kenë vizionin e finalizimit të tyre dhe as të kërkojnë mjetet për të mundësuar atë, duke e ditur se pengesa kryesore është refuzimi i Serbisë për të njohur shtetin e Kosovës dhe diversioni i pandalshëm që Serbia po ndërmerr ndaj Kosovës. Ishte ndërhyrja e presidentit Bajden [Biden] dhe ajo e kancelarit Sholc [Scholz] që kanë përcaktuar njohjen reciproke si finalizimin e negociatave midis dy shteteve. Njohjen reciproke e theksoi edhe kryeministri Kurti në datën 21 nëntor 2022 ku refuzoi të vijonte bisedimet vetëm për targat dhe për hir të targave, ndërkohë që bëhet fjalë për zbatuar ose jo një ligj të Kosovës.
Ndërkohë, në një plan më të përgjithshëm, BE-ja dhe shtetet anëtare nuk kanë çështje të ngutshme integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor. Skepticizmi për zgjerimin është në rritje; Brexit-i nuk ka përfunduar; lufta në Ukrainë po tregon varësinë e madhe energjetike të BE-së ndaj gazit rus dhe shkëputja prej saj do të marrë shumë kohë e vëmendje; përpjekjet kundër pandemisë së gripit dhe çështja e përhershme e emigrantëve të paligjshëm po vënë në provë solidaritetin e shteteve evropiane. Për shkak të këtyre çështjeve dhe të tjera që mund të radhisim, BE-së i intereson që të drejtojë gishtin drejt konflikteve të ngrira në Ballkanin Perëndimor dhe të bëjë fajtorë shtetet përkatëse për mosintegrimin e tyre. Ndërkohë që integrimi ekonomik i këtyre vendeve me BE-në është thuajse i plotë, ngaqë vendet e rajonit janë të hapura për tregtinë dhe investime nga shtetet anëtare të BE-së. Po ashtu emigrimi i trurit dhe i fuqisë punëtore nga Ballkani Perëndimor në BE vijon me ritme të larta. Meqenëse permendëm lëvizjen ndërkufitare, duhet kujtuar këtu se BE-ja e ka liberalizuar regjimin e vizave me Moldavinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë, por jo me Kosovën. A do të thotë kjo se situara me sundimin e ligjit na qenka më e mirë në këta shtete se sa në Kosovë?! Mbajtja e izoluar e Kosovës është një përparësi që BE-ja i ka dhënë Serbisë në negociatat dypalëshe.
2. Pas targave, çfarë vjen?
Që Serbia do të kapej pas një shkaku për të pezulluar/ndaluar negociatat me Kosovën, kjo gjë ishte paralajmëruar prej kohësh nga Vuçiqi. Pse ky i fundit u kap pas çështjes së targave të automjeteve? Sepse përdorimi nga serbët e Kosovës të targave të emetuara nga institucioni përkatës i Republikës së Kosovës, rrëzon iluzionin se ata jetojnë në Serbi. Në këtë rast targa funksionon si pilula e kuqe që zgjedh Neo, personazhi i filmit të njohur “Matrix”. Me ta marrë pilulën e kuqe ai nisi ta përjetonte realitetin dhe u shkëput nga bota virtuale, brenda së cilës kishte jetuar deri atëherë. Sigurisht Vuçiqi dëshiron që serbët e Kosovës sa më gjatë të besojnë se Kosova është Serbi dhe se Serbia do të rikthehet në Kosovë. Përndryshe ai nuk mund t’i përdorë ata si leva të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës. Për ironi, marrëveshja teknike për targat është e vitit 2016 dhe ka të bëjë me zbatimin marrëveshje së vitit 2011 për lëvizjen e lirë të individëve. Sipas marrëveshjes së vitit 2016 është rënë dakord që pas vitit 2018 në Kosovë do të ketë vetë targa të lëshuara nga Kosovë, por qeveritë e deri-atëhershme në Kosovë nuk kanë marrë hapa për realizimin e tyre. Qeveria e tanishme e drejtuar nga Kurti nuk po bën tjetër, veçse po zbaton ligjshmërinë dhe marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Brukseli. Prandaj, Borrelli e ka krejt gabim kur fajëson Kosovën për mospranim të një kompromisi të ri mbi targat. Ishin diplomatët e BE-sa ata që i ftuan palët fillimisht për bisedime teknike dhe më vonë i shtynë në diskutime politike që sollën kaq dëme e rreziqe për shtetësinë e Kosovës. Tani që negociatat politike duhet të rinisnin me diskutimin me urgjencë të planit franko-gjerman, Borreli po cakton një agjendë vetëm teknike (posaçërisht për targat) që i intereson Vuçiqit. Prandaj, Kurti bëri shumë mirë që ia kujtoi diplomatëve evropianë se është gati të bisedojë me Serbinë për planin franko-gjerman apo për modalitetet e njohjes së ndërsjellë, siç është kërkuar nga presidenti Bajden.
Me zbatimin e ligjit për targat mund të ndodhin incidente e provokime nga ana e serbëve të Kosovës që ndjekin linjën e Beogradit, por kjo nuk e anulon dot faktin se në Kosovë respektohen të drejtat e liritë e qytetarëve, pavarësisht nga identiteti kombëtar e etnik, dhe se pakicat në Kosovë kanë të drejta më shumë se çdo vend tjetër ballkanik. Kështu që nuk pritet që të kemi një “luftë të targave”. Edhe serbët po rikthehen në institucione të shtetit të Kosovës, sepse e dinë shumë mirë se jashtë tyre kanë më pak mundësi për të shantazhuar. Nëse heq vullnetarisht dorë prej të drejtave ligjore, kjo nuk do të thotë se të drejtat nuk të garantohen. Nga ana e tyre institucionet e sigurisë së Kosovës do të vijojnë me vendosjen e rendit publik në të gjithë territorin e shtetit.
Një konflikt i hapur nuk ka për të ndodhur, për shkak të pranisë së NATO-s në Kosovë. Por edhe në rastin hipotetik të tërheqjes së trupave të NATO-s, Serbia nuk e ka të lehtë të pushtojë Kosovën, sepse përfundimi i konfliktit nuk është i parashikueshëm. Shqiptarët në Kosovë janë më të aftë për të luftuar se sa ishin në vitet 1998-1999 dhe shqiptarët në rajon e diasporë do t’u shkojnë në ndihmë. Me gjasë edhe NATO-ja do ta ndalë konfliktin, sepse Perëndimi nuk dëshiron përsëritjen në Ballkan të asaj që po ndodh në Ukrainë: ndryshimin me dhunë të kufijve të shteteve.
Ndoshta fundi i negociatave do të sjellë një ndërhyrje të re të diplomacisë perëndimore për t’i risjellë palët në tryezë, mirëpo nëse vijohet me të njëjtën skemë si deri tani nuk do të kemi asgjë të re. E sigurt është se togfjalëshi “Serbisë duhet t’i japim diçka” ka efekt mes partive opozitare, por aspak te qeveria Kurti. Shumëkush e ka të qartë se, po të bëhet bilanci që nga negociatat e Vjenës e deri të ato të Brukselit, kjo “diçkaja” është bere “shumëçka”, por Serbia prapëseprapë nuk është ngopur. Prandaj, edhe ndërkombëtarëve u duhet bërë e qartë se Serbia nuk ka çfarë merr më në Kosovë. Njohja e Republikës së Kosovës është minimumi që duhet të bëjë Serbia, bashkë me kërkimin e faljes për të zezat që i ka shkaktuar shqiptarëve.
Gjithsesi, ta kemi të qarte se njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia nuk do të thotë se Kosovën do ta njohin automatikisht edhe shtete të tjera anëtare të BE-së dhe të NATO-s, bie fjala Spanja. Prandaj, anëtarësimi në BE dhe NATO nuk do të ndodhë shpejt. Po ashtu njohja nga Rusia dhe Kina nuk do të vijë pas njohjes nga Serbia, kështu që edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB do të zgjasë. Sigurisht që njohja nga Serbia është e rëndësishme, sepse i ofron shansin Serbisë që të heqë dorë nga armiqësia tradicionale ndaj shqiptareve, por nuk është garanci se Serbia nuk do te përpiqet të destabilizojë Kosovën. Mjafton të shohin se si Serbia po i trajton shqiptarët në Luginën e Preshevës, apo se sa disfunksional është shteti i Bosnjë-Hercegovinës. Prandaj, Kosova duhet te sigurohet që nga procesi i negociatave të dalë sa më e fortë për betejat e reja që e presin.