Nga Sebastian Zonja

Dy gjigantët teknologjikë në botë, SHBA-ja dhe Kina, na kanë futur ethet për garën që janë duke bërë në fusha të ndryshme të Inteligjencës Artificiale. Në shkurt, sipërmarrësi miliarder Ilon Mask njoftoi se për pak vjet do nxjerrë robotët e parë humanoidë. Edhe Kina ka njoftuar se në Shangai ka nisur puna për një fabrikë të madhe që do të prodhojë robotë të gjeneratës së re – prodhime silikoni që ngjajnë si njerëz. Se çfarë do të jenë këta robotë në dy apo tre dekadat e ardhshme na e tregojnë dy ndër autorët më të mirë të fushës – Nik Bostrom apo Rosi Braidoti.

Transhumanizmi i Maks Morit dhe posthumanizmi i Keri Uolfit

Që të dyja rrymat merren me evolucionin e species njerëzore dhe përshtatja me teknologjitë e reja. Transhumanizmi flet për përmirësimin e gjendjes njerëzore dhe ka në themel idenë se njerëzit duhet ta përdorin teknologjinë e avancuar për të përmirësuar aftësitë e tyre fizike dhe mendore. Rasti i fundit janë eksperimentet e Ilon Maskut për “Neuralinkun” që, sipas tij, shërbejnë për të kuruar paralizën apo verbërinë, duke implantuar çipa të ndryshëm në tru apo në shtyllën kurrizore. Shkencëtarët mendojnë se me avancime të mëdha në teknologji, biologjia do kthehet gjithnjë e më shumë në problem inxhinjerik, duke kapërcyër kufizime që na vijnë me plakjen, sëmundjet. Ndëkrohë, disa të tjerë shkojnë deri në pikën thoën se edhe vdekja, pas shumë dekadash, mund të kthehet në problem inxhinjerik. Qëllimi i transhumanistëve është krijimi i një versioni të përmirësuar species njerëzore, që autorë të ndryshëm e kanë pagëzuar me emërtesën “humanity+.”

Për shembull, ndër pikat ku pritet të ketë avancime të mëdha janë përmirësimet kibernetike me implante në tru; Inxhinieria Gjenetike me teknologjinë CRISPR që do të mund të eliminojë shumë sëmundje të trashëguara. “Mind Uploading” është një projekt tjetër që propozon një ndër gjenitë e fushës, Rei Kurcveil. Ai ka sjellë konceptin e “Singularitetit” që sugjeron se vetëdija njerëzore mund të transferohet tek një formë digjitale, duke krijuar një lloj pavdekësie.

Ndërkaq, posthumanizmi vë në pikëpyetje mënyrën tradicionale të të menduarit me njeriun në qendër të botës – antropocentrizmin. Sipas shumë shkencëtarëve, me Nikolla Kopernikun që tregoi se bota jonë rrotullohet rreth Diellit u çel një epokë tjetër që e bën njeriun pjesë të botës, jo qendër të botës siç e parashtronte teologjia e krishterë. Po ashtu, nga vëzhgimet me teleskop për shekuj të tërë, kemi hyrë në shekujt e mikroskopit, duke e parë botën si është ndërtuar nga njësitë më të vogla te më të mëdhatë, duke sjellë idenë se njerëzit nuk janë më qenia dominuese në Tokë. Sipas posthumanistëve, teknologjia, Inteligjenca Artificiale dhe ndryshimet ekologjike mund të çojnë në forma të reja të inteligjencës dhe ekzistencës përtej njeriut.

Për shembull, nëse arrihet AGI-ja brenda pak vitesh, është pak por e sigurtë se e ardhmja mund t’i përkasë entiteteve jo-njerëzore. Në këtë rast, ato qenie që evoluojnë përtej nevojës për trupa biologjikë, si rrjetet e ndërlikuara të Inteligjencës Artificiale apo format plotësisht sintetike të jetës, na çojnë drejt një bote postnjerëzore. Rosi Braidoti argumenton se me kalimin e viteve do ndërtojmë koncepte krejt të reja për identitetin dhe etikën. Çfarë do t’i themi një njeriu që do ketë dëshirë të jetojë me një robot?
Po ashtu, Keri Uolfi na pyet – çfarë epërsie do të kemi mbi natyrën nëse tekonologjia avancon kaq shumë dhe kaq shpejt?

Sot, Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë në këtë garë dhe dilemat e tyre të sigurisë nuk lejojnë që të zhvillohen edhe aq debate mbi shqetësimet etike. Nuk është thjesht çështje e fuqisë ushtarake ose dominimit ekonomik; e ardhmja e lidershipit global varet se cili komb do zotërojë dhe zhvillojë më shpejt Inteligjencën Artificiale, kompjuterat kuantikë, bioteknologjinë dhe eksplorimin e hapësirës. Kjo është gara që po formëson rendin global, dhe është garë që do të ketë pasoja të thella për krejt njerëzimin.

Modeli amerikan promovon tregjet e hapura dhe inovacionin e decentralizuar. Kina ka qasje të centralizuar – shfrytëzon fuqinë shtetërore për të ndihmuar industritë e ndryshme. Ndaj, një pyetje interesante është nëse do të formësohet e ardhmja jonë si njerëzim nga inovacioni demokratik apo nga kontrolli autoritar? A do ta përdorim teknologjinë për të rritur liritë njerëzore, apo do ta shndërrojmë në mjet survejimi dhe shtypjeje?

Si do ndikojë teknologjia në një botë në kaos?

Evropa, Azia dhe Afrika po tërhiqen në këtë duel teknologjik. Zinxhirët globalë të furnizimit janë fragmentuar, teknonacionalizmi po rritet, rrjetet 5G dhe gjysmëpërçuesit reflektojnë qartë ndarjen e re gjeopolitike. Paradoksi i madh i kësaj epoke që kemi hyrë është se, ndërsa konkurrenca përshpejton progresin teknologjik, ajo gjithashtu po thellon ndarjet – miliona njerëz kanë dalë nga varfëria, është zgjatur jetëgjatësia por, në mungesë të bashkëpunimit, të njëjtat teknologji mund të përdoren si armë, të thellojnë pabarazitë dhe të forcojnë sistemet e kontrollit.
Një inovacion që nuk i shërben krejt njerëzimit, a mund të themi se do përdoret si armë?

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *