Ish-mbrojtësi i Manchester United, Gary Neville, është shprehur se këtë sezon vetëm Liverpool ka potencialin për t’i mohuar Arsenalit titullin e kampionit të Anglisë, ndërsa ka përjashtuar Manchester Cityn nga gara për kreun.
Arsenali i Mikel Artetës vazhdoi serinë e rezultateve pozitive me një fitore të pastër 2-0 ndaj Burnleyt të shtunën. Falë golave të Viktor Gyokeres dhe Declan Rice në pjesën e parë, “Topçinjtë” arritën suksesin e nëntë radhazi në të gjitha kompeticionet dhe regjistruan portën e shtatë të paprekur njëpasnjë.
Kjo formë e shkëlqyer i ka bërë londinezët favoritët kryesorë për të fituar titullin e parë të Premier League që nga viti 2004, dhe Neville beson se këtë herë ata do ta çojnë punën deri në fund.
“Arsenali është ndoshta ekipi më i qëndrueshëm në kampionat. Kanë punuar për këtë nivel që prej tre ose katër sezonesh. E kuptoj pse Arteta e lojtarët përpiqen të shmangin fjalën ‘favoritë’, por realisht ata janë të tillë”, – deklaroi Neville.
Sipas tij, ky është sezoni ku Arsenali nuk ka më justifikime:
“Vitin e kaluar e kishin mundësinë, por nuk e shfrytëzuan. Tani nuk do të ketë shumë njerëz që do t’i falin nëse nuk e fitojnë. Janë skuadra më e plotë dhe më e ekuilibruar në ligë.”
Neville theksoi gjithashtu se ndryshimi kryesor mes Arsenalit dhe skuadrave të tjera të mëdha qëndron në thellësinë e ekipit:
“Nëse Liverpool humbte Van Dijkun apo Salahun, ndjehej menjëherë mungesa. Por Arsenali ka ndërtuar një skuadër që nuk varet nga një individ i vetëm – edhe mungesat në mbrojtje janë të përballueshme.”
Në fund, eksperti i “Sky Sports” shtoi:
“Nuk mendoj se City do të kthehet në formën e zakonshme këtë sezon. Guardiola mbetet një trajner gjeni, por ekipi i tij nuk po arrin ritmin e zakonshëm. Liverpool është i vetmi që mund ta ndalë Arsenalin, megjithëse duhet të reagojë shpejt nëse dëshiron të mbetet në garë për titull.”

