Publicisti Shkëlzen Gashi skanoi rezultatin e zgjedhjeve të 9 Shkurtit. Sipas tij Kurti duhet të tregojë maturi në formimin e kabinetit të ri duke mos përrfshirë në të disa ish-ministra të paaftë.
Postimi i Shkëlzen Gashit
Albin Kurti e ka veç edhe një shansë
Partitë politike kryesore që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 prezantuan disa dokumente që i quajtën programe, por që në të vërtetë asnjëri prej tyre nuk mund të kualifikohej si i tillë. Në rastin më të mirë, mund të thuhet se ato dokumente përmbanin disa ide. Veç kur idetë të shtjellohen në projekte, e mandej këto të ndërlidhen mes vete, krijohet programi. Shkurt, “programet” e partive politike ishin skandaloze, e për fat të keq, i tillë ishte edhe “programi” i LVV-së, subjektit që për katër vjet e drejtoi Qeverinë e Kosovës.
Sido që të jetë, po ndalem te rezultati i këtyre zgjedhjeve. Personalisht kam qenë i bindur se LVV-ja do të pësonte rënie prej 6-8%, ngaqë të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës ishin sidomos dy grupe shoqërore: shtresa e mesme e mesme (për shkak të mungesës së një programi të qartë dhe ekipit kompetent që do ta zbatonte atë) dhe komuniteti i myslimanëve praktikues (për shkak të Kodit Civil dhe Doracakut). Megjithatë, kam besuar se votat e këtyre dy grupeve LVV-ja do t’i kompensonte me rritjen e votave nga diaspora, falë mundësisë për të votuar tashmë nëpër ambasada e konsullata të Kosovës, si dhe me rritjen e votave prej të varfërve, që përfituan nga shtesat për fëmijët, gratë, pensionistët, subvencionet për bujqit, e me radhë.
Janë disa faktorë që ndikuan që LVV-ja të mos bjerë më shumë.
I pari është shtrirja e sovranitetit edhe në veri të Kosovës, që domethënë shkatërrimi i bandave kriminale serbe në këtë pjesë të vendit. Më në fund, pas më shumë se dy dekadash, qytetarët serbë në veri paguajnë faturat për rrymë, ujë, mbeturina, tatim prone, e kështu me radhë. Në vijim të kësaj, duhet përmendur shkatërrimin e strukturave paralele serbe në gjithë territorin e Kosovës, ndalimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, si dhe të mallrave e valutës zyrtare të Serbisë në Kosovë.
Faktori tjetër janë kundërshtarët e LVV-së: partitë politike opozitare pa programe e pa njerëz kompetentë, pastaj mediat e kontrolluara nga këto parti, e sidomos Klan Kosova me shpifjet e pandërprera, të ashtuquajturit “analistë”, oligarkët, me theks të veçantë klani Devolli, diplomatët ndërkombëtarë, ku duhet veçuar Richard Grenell, e kështu me radhë. Të gjithë këta dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, duke mobilizuar elektoratin e LVV-së në mënyrë që rënia të mos ishte më e madhe. Prandaj, LVV-ja dhe Albin Kurti duhet t’u jenë mirënjohës partive politike opozitare, mediave, oligarkëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë.

Nga ana e saj, LVV futi në listën e kandidatëve për deputetë persona si ish-Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe ish-Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka. Kjo tregon se LVV do ta fuste në listën e kandidatëve për deputetë edhe dështakun tjetër, ish-Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, po të ishte ende anëtar i saj. Në zgjedhjet e fundit lokale pata mbështetur kandidatët e partive politike opozitare për kryetarë të komunave në Prishtinë, Mitrovicë e Prizren, sepse në to LVV-ja kishte qeverisur jashtëzakonisht keq. Të kishin punuar si duhet Bedri Hamza në Mitrovicë e Përparim Rama në Prishtinë, atëherë kandidatët e PDK-së e të LDK-së për kryeministër, pra Bedri Hamza e Lumir Abdixhiku, do të mund ta dobësonin Albin Kurtin e LVV-së. Duhet shtuar këtu se Albin Kurti, me historinë e tij mahnitëse në shërbim të vendit dhe përgatitjen e tij intelektuale mbresëlënëse, nuk mposhtet nga kundërkandidatë mediokër. Mbi të gjitha, Albin Kurti, që banon me qira, vështirë mposhtet nga kundërkandidatë që bëjnë jetë “modeste” nëpër lagjet më luksoze të Prishtinës.
Sido që të jetë, LVV mori rezultat të mirë, megjithëse qeverisja katërvjeçare e Kryeministrit Kurti lë shumë për të dëshiruar. Në parim, Albin Kurti nuk e meriton edhe një mandat. Personalisht e kam mbështetur fort për shkak të Serbisë fashiste dhe atyre që e plaçkitën Kosovën për gati dy dekada. Shpeshherë, e sidomos javët e fundit, jam përmbajtur fort nga kritikat, pikërisht sepse kundër tij ishin bërë bashkë njerëzit më të ligj dhe më të padijshëm të këtij vendi.
Ajo që e ndëshkoi më së shumti LVV-në është keqqeverisja, e në disa fusha madje mosqeverisja. Po e konkretizoj me fushën me të cilën jam marrë shumë gjatë këtyre katër vjetëve – krimet e luftës. Në këtë fushë, LVV në programin e saj më 2021 kishte varguar tri projekte:
1. Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës,
2. Muzeu për Krimet e Luftës, dhe
3. Padia për Gjenocid ndaj Serbisë.
Qeveria e Kosovës vetëm në vitin e fundit të mandatit qeverisës e themeloi Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, madje në mënyrën më të keqe të mundshme, por për këtë temë një herë tjetër. Ndërsa për projektin e dytë, Muzeun për Krimet e Luftës, Ministri i Kulturës e dërgoi për miratim në Qeverinë e Kosovës vetëm dy javë para përfundimit të mandatit katërvjeçar, propozimin për vendimin mbi themelimin e tij, dhe këtë na e shiti si “themelim të Muzeut për Krimet e Luftës”. Sa i takon projektit të tretë, Padisë për Gjenocid ndaj Serbisë, po ashtu vetëm dy javë para përfundimit të mandatit katërvjeçar, Ministrja e Drejtësisë na gënjeu paturpësisht se kishin punuar në këtë padi, por për arsye konfidenciale nuk mund të bënin asgjë publike.
Albin Kurti duhet ta kuptojë se Qeveria e Kosovës nuk ngarkohet vetëm me dialogun me Serbinë dhe raportet dinjitoze me bashkësinë ndërkombëtare. Janë edhe arsimi, shëndetësia, ekonomia, energjia, kultura, e me radhë. Ai duhet ta ketë të qartë se shumica e ministrave dhe shumica e pjesëtarëve të stafit në kabinetin e tij nuk meritojnë të jenë aty. Po të punonte si duhet, Albin Kurti nuk do të kishte nevojë të bërtiste gjatë fushatës, sepse do të bërtisnin punët e tij.
Albin Kurti e ka veç edhe një shansë. Nëse qeveris sikur gjatë katër vjetëve që i lamë pas – e kam dro që krejt indikacionet tregojnë se bash ashtu ka për të qeverisur – atëherë LVV-ja jo vetëm do të përgjysmohet në zgjedhjet e ardhshme, por edhe do të jetë përgjegjëse për kthimin e plaçkitësve të Kosovës në pushtet dhe rrjedhimisht edhe të Serbisë në veri të Kosovës.