Nga Agim Morina
Kur e mendon, në ditët ma të zeza të Kosovës, me qinda mija punëtorë në Kosovë, në vitet ’90 të shekullit të kaluem, kanë mbetë pa vende pune vetëm për një gja “teknike”: nuk kanë pranu me nënshkru një letër ku ka shkru se Kosova asht Serbi. Profesorët e inxhinierë kanë shitë video-kaseta në rrugë për me mbijetu. Të tjerë kanë shitë tesha prej Turqisë nëpër pazare. Unë një pjesë të fakultetit e kam kry në studion e profesorit tem e ma vonë aty e kam ba edhe një periudhë të punës, si asistent. Me qinda mija nxanës e studentë kanë mbajtë mësime nëpër shtëpitë private, vetëm për një gja: mos me nënshkru se Gjakova asht Serbi. Të mos flas për mija të tjerë që janë arrestu, burgosë, rrahë e vdekë vetëm mos me nënshkru që Peja asht Serbi.
Në këtë vijë, vetë gazetarët e Klan Kosovës do të duhej ta kishin bojkotu e lanë punën në këtë kompani, ndërsa shtëpitë e tjera mediatike, në shenjë solidariteti, do të duhej t’i kishin marrë në punë të gjithë gazetarët e Klan Kosovës në kompanitë e tyre mediatike, vetëm e vetëm me kallxu që Peja e Gjakova KURRË MA nuk kanë me u shkru e nënshkru se janë në Serbi. Kurrë ma ‘Djakovica – Srbija’ e ‘Pec – Srbija’!