Vincent W.J. van Gerven Oei, është gazetar holandez dhe botues i disa librave, i cili prej vitesh jeton dhe shkruan për Shqipërinë.
Së fundmi Vincent shkruan për “The Albanian Mechanism”, një buletin dyjavor që analizon zhvillimet aktuale në politikën shqiptare dhe i vendos ato në një kontekst historik më të gjerë.
“Pas më shumë se një dekade të sundimit de facto një partiak, Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar një mekanizëm qeverisës të ndërlikuar, i bazuar në pastrimin masiv të parave të drogës ndërkombëtare, të maskuar me një fasadë kulturore të ofruar nga servilë të shumtë nga bota ndërkombëtare e arkitekturës dhe artit”, shkruhet ne uebsajtin e The Albanian Mechanism.
“Ndërkohë që opozita është në rrënim, mekanizmi është pjekur dhe përmasa e tij e plotë po del dalëngadalë në dritë. Ky realitet paraqitet këtu”, kështu përshkruhet projekti.
Së fundmi, Van Gerven Oei publikoi një shkrim i cili ekspozonte lidhjet mes fondacionit “Harabel” i drejtuar nga Arjola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, me kompaninë Integrated Energy BV SPV e hetuar nga SPAK për korrupsion me Inceneratorin e Tiranës.
Van Gerven Oei u përball me një seri sulmesh nga artisti shqiptar Driant Zeneli, i cili përmendet në artikullin e tij. Zeneli është bashkëthemelues i fonacionit “Harabel”.
Artikulli ka në qendër akuza për pastrim parash dhe shpërdorim fondesh përmes promovimit të artit.
Vincent tregon se sulmet e përsëritura të Zenelit u përshkallëzuan, deri sa në 4 shtator Zeneli së bashku me 3 persona të tjerë u afruan në galerinë “Zeta” për t’u konfrontuar me të.
“Ata përdorën një gjuhë agresive dhe homofobike, duke tentuar ta sulmonin fizikisht. Ndërhyrja e personave të tretë ndaloi përshkallëzimin e situatës”, thuhet në reagimin e rrjetit Safe Journalist për ngjarjen.
Van Gerven Oei i tha Citizens se në Shqipëri tashmë është e ditur se gazetarët kritikë ndaj qeverisë shpesh bëhen objektiv i kërcënimeve dhe madje dhunës fizike, “kështu që ajo që përjetova unë është pjesë e këtij realiteti”.
“Në të njëjtën kohë, ajo që më befasoi vërtet është se kur shkruaj për lidhjen midis artit, qeverisë dhe oligarkëve, Driant Zeneli u shfaq dhe më sulmoi, i shoqëruar nga një kuratore e njohur, Adela Demetja, një ish-kandidate e PS-së për Këshillin Bashkiak, dhe dy persona që punonin në ndërtim. Ata vërtetuan pikërisht atë që doja të theksoja”, tha gazetari në një reagim për Citizens.
Reagimet e komunitetit të gazetarëve ishin të menjëhershme. Rrjeti SafeJournalists, i cili përfshin organizata të medias nga Ballkani Perëndimor, reagoi ashpër ndaj kërcënimeve.
Lexo më shumë Qeveria e Kosovës miraton projektligjin e ndryshuar për verifikikimin dhe konfiskimin e pasurisë për Byronë shtetërore
“Ky incident ngre shqetësime serioze mbi sigurinë e gazetarëve në Shqipëri, veçanërisht kur raportojnë mbi tema të ndjeshme që përfshijnë figura të fuqishme”, u shprehën ata në një deklaratë.
Po ashtu, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shprehu shqetësimin për sigurinë e gazetarit. “AGSH këmbëngul se liria e medias dhe siguria e gazetarëve në Shqipëri janë shqetësim serioz për vendin tonë”, thuhet në deklaratën e tyre.
Rasti u regjistrua dhe nga Mapping Media Freedom, dhe e ka klasiifkuar si sulm fizik dhe verbal.
Gazetari holandez bëri publike në profilin e tij në Instagram mesazhet e shkëmbyera mes tij dhe Zenelit, ku ky i fundit përdori një gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj tij.
Në mesazhet e publikuara nga van Gerven Oei, Zeneli përdor gjuhë fyese dhe kërcënuese, duke i thënë gazetarit të mos e kontaktojë më.
Në mbështetje të tij reagoi dhe ambasada e Holandës. Ambasadori holandez ndau një postim në rrjetin social X ku nënvizoi se “siguria e gazetarëve dhe pavarësia e medias janë thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian”.
Vincent van Gerven Oei e konsideron këtë incident pjesë të një modeli më të gjerë të abuzimeve dhe kërcënimeve me të cilat përballen gazetarët në Shqipëri./Citizens.al