Një gazetare e pavarur amerikane, Shelly Kittleson, është rrëmbyer në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, sipas raportimeve të BBC dhe mediave ndërkombëtare.
Sipas informacioneve, ajo u rrëmbye të martën në mbrëmje pranë një hoteli në qendër të qytetit. Gazetarja ka bashkëpunuar me median amerikane Al-Monitor, e cila konfirmoi lajmin përmes burimeve lokale.
Autoritetet irakiane kanë nisur menjëherë një operacion për kapjen e rrëmbyesve. Gjatë ndjekjes nga forcat e sigurisë, një nga automjetet e përdorura nga të dyshuarit është përmbysur dhe një person është arrestuar.
Sipas një zyrtari amerikan, i ndaluari dyshohet se ka lidhje me grupin militant pro-iranian Kataib Hezbollah. Ndërkohë, zyrtarë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së kanë konfirmuar rrëmbimin e një gazetareje amerikane dhe kanë bërë të ditur se po bashkëpunojnë me autoritetet irakiane për lirimin e saj sa më shpejt.
Raportohet gjithashtu se Kittleson ishte paralajmëruar më parë nga autoritetet amerikane për kërcënime të mundshme ndaj saj nga grupe paraushtarake të mbështetura nga Irani. Megjithatë, ajo kishte dyshuar se këto informacione mund të mos ishin të sakta.
Autoritetet në Irak kanë deklaruar se operacioni për gjetjen dhe lirimin e gazetares vazhdon dhe po zhvillohet me prioritet të lartë.
