Ministrja e Punëve të Jashtme shkroi në “X” se serbë të maskuar po i ndalojnë automjetet me shqiptarë nën vëzhgimin e policisë së Serbisë e cila nuk po vepron.
Donika Gërvalla thekson se kjo është një lëvizje që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar që kërkon përshkallëzim, ndërkohë që kërkoi nga SHBA-të dhe BE-ja që të mos heshtin në këtë situatë.
“Në pikën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak, grupe serbësh të maskuar po ndalojnë makinat me targa gjermane dhe nuk lejojnë kalimin e shqiptarëve. Policia e Vuçiç po mbështet këtë përshkallëzim racist, duke parë dhe mos vepruar.
Vuçiç vazhdon të tradhtojë Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian, duke folur për integrimin evropian ndërkohë që përshkallëzon situatën. Shpresojmë që Gjermania do të kërkojë kalim të lirë, pavarësisht çështjes së litiumit.
Ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të veprojnë me vendosmëri për të ndaluar përshkallëzimin e rrezikshëm të Vuçiç, përpara se ai të shkaktojë luftë.”- shkruan Gërvalla.