Ka nisur seanca e parë në themel e gjyqit ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Seanca po zhvillohet në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nën drejtimin e gjyqtares Ëngjëllushe Tahiri, ndërsa relatore janë Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.
Në sallën e gjyqit është i pranishëm edhe prokurori Ols Dado. Ndërkohë, për pjesëmarrjen e Veliajt është njoftuar edhe Drejtoria e Burgjeve, pasi ai ndodhet në paraburgim.
Avokatja e tij, Valentina Teodoresku, deklaroi se mbrojtja nuk ka zhvilluar seancë paraprake pasi nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha materialet e dosjes. Sipas saj, Veliaj duhet të njihet me rreth 65 mijë faqe dokumente që përbëjnë materialin hetimor.
“Unë kam pasur dy herë kontakte me të mbrojturin tim. Herën e dytë ishte me serum. Qëndruam vetëm një orë për të diskutuar çështjen, ndërkohë që duhet të njihen të gjitha materialet”, u shpreh ajo.
Në seancë mungoi bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa. Avokati i saj, Maksim Haxhiaj, deklaroi se ajo nuk mund të paraqitet për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi është shtatzënë dhe mjeku i ka ndaluar lëvizjen.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi kalimin për gjykim të çështjes ndaj Veliajt dhe 28 personave të tjerë të përfshirë në dosje. Prej më shumë se një viti, Veliaj ndodhet në paraburgim në Burgun e Durrësit, ndërsa hetimet e SPAK kanë ngritur 13 akuza ndaj tij për disa vepra të rënda penal.

