Ish-mesfushori i Kombëtares tha në “Rubrika Sportive” se përballja e së premtes ndaj Anglisë do të jetë e vështirë, duke marrë parasysh mungesat në skuadër.

Klaus Gjasula thekson se mungesa e Mario Mitajt në krahun e majtë të mbrojtjes peshon shumë dhe zëvendësimi i tij nuk do të jetë aspak i lehtë.

“Lojtarët e dëmtuar na mungojnë. Është hera e parë pas një kohe të gjatë që Abrashi nuk është thirrur. Dy lojtarët e rinj unë nuk i njoh, nuk ia kam idenë. Ndeshjet nuk do të jenë të lehta, sidomos ajo e para. Shpresoj që të gjithë të jenë gati për sfidat. Të gjithë emrat që mungojnë janë të rëndësishëm për grupin. Mitaj dhe Hysaj kanë bërë më shumë ndeshje se të gjithë, të dy janë lojtarë shumë të rëndësishëm, sidomos Mitaj në krahun e majtë. Mungesa e tij dhemb shumë” – u shpreh Gjasula.

35-vjeçari shtoi se Kombëtarja ka potencial të mjaftueshëm për të synuar vendin e dytë në grup, ku si rivale kryesore sheh Serbinë.

Madje, Gjasula kritikoi edhe UEFA-n, duke nënvizuar se duhej shmangur një përballje mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke marrë parasysh raportet mes dy popujve dhe ngjarjet e Beogradit në vitin 2014.

By Editor