Në vitin 2023, numri i shqiptarëve të përfshirë në krimin e organizuar në Gjermani është rritur ndjeshëm, sipas raportit të Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA). Aktiviteti kryesor i këtyre grupeve është trafiku i drogës, veçanërisht kokainës dhe produkteve të kanabisit. Nga 285 shqiptarët e dyshuar për përfshirje në këto aktivitete, një përqindje e madhe janë individë që kanë kërkuar azil në Gjermani dhe përfitojnë nga sistemi social. Grupet kriminale shqiptare po përdorin gjithnjë e më shumë teknologji të avancuara dhe janë të njohura për brutalitetin dhe përdorimin e armëve.
Raporti thekson gjithashtu rritjen e dhunës dhe përfshirjen e armëve të zjarrit nga grupet kriminale shqiptare, të cilat përdorin teknologji moderne dhe komunikime të koduara për të shmangur autoritetet. Ky zhvillim i ri i ka bërë këto grupe më të vështira për t’u gjurmuar dhe identifikuar nga organet e zbatimit të ligjit në Gjermani. Shqiptarët renditen të dytët pas grupeve gjermane për sa i përket përdorimit të teknologjisë së sofistikuar, duke lënë pas grupe nga vende si Turqia, Serbia dhe Italia.
Raporti i BKA-së për vitin 2023 thekson se rreth 40% e hetimeve për krimin e organizuar lidhen me trafikimin e drogës, dhe se bashkëpunimi ndërkombëtar është i nevojshëm për të luftuar më efektivisht këto grupe. Ndërkohë, autoritetet policore gjermane përballen me sfida të mëdha në përballimin e këtij fenomeni, për shkak të mungesës së kompetencave të mjaftueshme dhe pengesave në hetimet ndërkombëtare.