Gjermania shkëmbeu demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi me një minierë të litiumit. Akuza vjen nga eksperti i njohur i çështjeve ballkanike Florian Bieber, pedagog në universitetin e Graz në Austri.
“Nuk ka më institucione të pavaruara, media kombëtare, asnjë hapësirë për kritikë nga shoqëria civile në Serbi. Ndaj nuk ka asnjë garanci se projekti i minierës do të jetë në standardet e Serbisë, për të mos përmendur ato të BE-së. Protestat masive e ndalën përpjekjen e parë në vitin 2021. Tani BE-ja dhe Gjermania po mbështesin hapur projektin pas mashtrimit elektoral dhe përkeqësimit të sundimit të ligjit…Mesazhi që po jepet do të lexohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Një marrëveshje që i shërben BE-së është më e rëndësishme sesa vlerat. Me një mbështetje të tillë, zgjerimi i BE-së ka vdekur”,
shkruan Bieber.
Me këtë paragraf duket se marrëveshja e litiumit po inauguron një model të ri ndërveprimi mes Be-së dhe periferisë, duke kaluar pikërisht në atë partneritetin strategjik që propozoi presidenti francez, Macron, për të shmangur anëtarësimin efektiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Situata ngjan të jetë kritike, pasi merkantilizimi i relacioneve e ka sakrifikuar qysh tani çdo sistem vlerash dhe të drejtash, mjafton që të ruhet një stabilitet dhe qëndrueshmëri minimale.
Bashkë me koncesionimin e shëmtuar që I bëhet familjes Trump në Serbi dhe në Shqipëri, është e qartë se ata që deri më dje cilësoheshin si të korruptuar dhe autoritarë, sot po afirmohen si partnerë. Është padyshim një regres për shoqëritë e Ballkanit që do të duhet të kuptojnë se askush nuk ka për të bërë luftën e tyre. Në aspektin psikologjik vetë qarkullimi i idesë se BE-ja e la Serbinë në këmbim të një miniere, ka efekte ta pariparueshme. Duket se Europa hoqi atë një maskë që nuk kishte më kuptim, por që në çdo rast nisi pas Luftës së Dytë Botërore si një shpresë e re./ Mekuli Press