Deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me mundësinë e aneksimit të Groenlandës kanë shkaktuar reagime të forta në arenën ndërkombëtare. Pas këtyre qëndrimeve, ka reaguar edhe Gjermania, duke dalë hapur në mbrojtje të Danimarkës dhe duke theksuar rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
Qeveria e kancelarit gjerman Friedrich Merz ka bërë të qartë se kufijtë shtetërorë nuk mund të ndryshohen me forcë apo përmes presionit politik. Berlini zyrtar e konsideron Groenlandën pjesë integrale të Mbretërisë së Danimarkës dhe ka kërkuar që çdo diskutim të bazohet në ligjet dhe parimet ndërkombëtare.
Pozicioni i Gjermanisë u sqarua nga Sebastian Hille, zëdhënësi i kancelarit Merz, gjatë një konference për shtyp. Ai theksoi se sovraniteti territorial është një parim themelor i rendit ndërkombëtar dhe se çdo shkelje e tij do të përbënte një precedent të rrezikshëm.
Në të njëjtën linjë qëndrimi është shprehur edhe Britania e Madhe, e cila ka mbështetur Danimarkën dhe ka kundërshtuar çdo ide për ndryshim kufijsh me forcë. Londra ka nënvizuar se stabiliteti global dhe siguria ndërkombëtare varen nga respektimi i rregullave të përbashkëta dhe i integritetit territorial të shteteve.

