Gjermania ka prezantuar një projektligj të ri që synon të rrisë ndjeshëm kapacitetet ushtarake, në kushtet e frikës në rritje nga Rusia dhe të pasigurisë për politikën amerikane ndaj Europës. Sipas planit, deri në vitin 2035 forcat e armatosura pritet të arrijnë në 260 mijë ushtarë aktivë, nga rreth 180 mijë që janë sot, si dhe në 200 mijë rezervistë.

Faza e parë e reformës parashikon regjistrim vullnetar, me paga më të larta për të rinjtë që hyjnë në ushtri, rreth 2600 euro në muaj. Por qeveria ka paralajmëruar se, nëse nuk arrihen kuotat e synuara, do të ketë mundësinë të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Që nga viti i ardhshëm, të gjithë 18-vjeçarët do të marrin një pyetësor për shërbimin ushtarak.

Nisma vjen në një kohë kur NATO paralajmëron se deri në vitin 2029 Rusia mund të kërcënojë një shtet aleat. Ministri gjerman i Mbrojtjes ka theksuar se sa më e fortë të jetë ushtria, aq më e vogël është mundësia që vendi të tërhiqet në një konflikt të ri.

Megjithatë, rikthimi i mundshëm i rekrutimit ka ndezur debate të forta në Gjermani. Sondazhet tregojnë kundërshtim të madh nga e majta dhe nga shumë të rinj, të cilët nuk pranojnë idenë e detyrimit për të shërbyer në ushtri.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak u pezullua në vitin 2011, pas dekadash nënfinancimi të ushtrisë. Por pas pushtimit rus të Ukrainës, Berlini ka ndryshuar qasje, duke premtuar investime të mëdha dhe duke synuar të ndërtojë “ushtrinë më të fortë konvencionale në Europë”.

Projektligji pritet të votohet deri në fund të vitit dhe, nëse miratohet, do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *