Berlin, 9 maj 2025 – Gjermania pritet të hyjë në një kapitull të ri politik dhe ekonomik me marrëveshjen e re të koalicionit të paraqitur në Berlin nga tri partitë kryesore: Unioni Kristian-Demokrat (CDU), Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) dhe Unioni Kristian-Social (CSU). Marrëveshja, e prezantuar zyrtarisht më 9 prill, përmban një sërë reformash të thella që do të ndikojnë drejtpërdrejt jo vetëm në ekonominë më të madhe të Evropës, por edhe në politikën e saj të brendshme dhe të jashtme.

Ekonomia në fokus: Ulje taksash dhe më shumë fleksibilitet për pensionistët

Pas tre vitesh recesion të vazhdueshëm, koalicioni i ri synon të rifillojë motorin e ekonomisë gjermane përmes një pakete masash të guximshme. Planet përfshijnë uljen e taksave për bizneset, lehtësime mbi tatimin e energjisë dhe përjashtimin nga tatimi të orëve shtesë të punës.

Në përpjekje për të rritur fuqinë punëtore, do të lejohet që pensionistët të punojnë pa paguar tatime, përmes asaj që është quajtur “pensioni aktiv”. Ndërkohë, për të rritur atraktivitetin e Gjermanisë për investitorët dhe profesionistët, do të ndërmerret një fushatë e gjerë për reduktimin e burokracisë, me krijimin e një Ministrie të re për Digjitalizimin.

Rregulla më të rrepta për emigracionin: Fokus te siguria dhe integrimi

Një ndër elementët më të diskutueshëm të marrëveshjes është politika e re për emigracionin. Koalicioni ka njoftuar masa të ashpra që përfshijnë kontrolle më të rrepta në kufi, pezullim të programeve të pranimit vullnetar për refugjatët (si ata nga Afganistani), dhe kufizim të të drejtës për bashkim familjar për refugjatët e luftës. Sipas planit të ri, qytetarët ukrainas që hyjnë në Gjermani nuk do të përfitojnë më automatikisht nga ndihmat sociale.

Po ashtu, do të ndryshojë ligji për shtetësinë: nuk do të ketë më mundësi për marrjen e shtetësisë gjermane pas vetëm tre vitesh qëndrimi. “Kjo është një kthesë e qartë në politikën e migracionit dhe një sinjal i fortë për qytetarët tanë,” deklaroi Friedrich Merz, kreu i CDU-së dhe kancelari i ardhshëm i mundshëm.

Goditje për punëtorët nga Ballkani Perëndimor

Një ndër vendimet më të rëndësishme me ndikim në rajonin tonë është kufizimi i rregullores së Ballkanit Perëndimor. Nga 50 mijë punëtorë të pakualifikuar që lejoheshin të vinin çdo vit, numri do të përgjysmohet në vetëm 25 mijë. Kjo masë vjen pas shqetësimeve për barrën ekonomike të migracionit mbi komunat gjermane dhe është pjesë e një politike më të gjerë për të kontrolluar më rreptë fluksin migrator.

Procesi i Berlinit vazhdon, Ministria e Jashtme kalon te CDU

Pavarësisht politikave më konservatore për migracionin, koalicioni e konsideron integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE si një interes strategjik. Procesi i Berlinit do të vijojë si një platformë e rëndësishme për të ofruar perspektiva anëtarësimi për vendet e rajonit, përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë.

Në një zhvillim të pazakontë pas shumë dekadash, Ministria e Jashtme do t’i kalojë CDU-së. Ndër emrat më të përfolur për drejtimin e saj është Johann David Wadephul, një politikan me përvojë të gjatë në çështjet e Ballkanit dhe një figurë kyçe në formulimin e politikave evropiane gjatë qeverisjes së Angela Merkel.

By Editor