BERLIN/KIEV – Gjermania do të furnizojë për herë të parë Ukrainën me dronë luftarakë të pajisur me inteligjencë artificiale (IA). Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, këto dronë, të zhvilluar në bashkëpunim me një kompani ukrainase dhe firmën gjermane të IA, Helsing, janë të aftë të kryejnë operacione autonome kundër objektivave të caktuar.
Dronët kamikaz janë programuar për të fluturuar drejt një destinacioni dhe për t’u vetëshkatërruar pasi godasin objektivin. Gjermania ka planifikuar dërgimin e 4000 njësi të këtij lloji në Ukrainë. Për arsye sigurie, detajet teknike dhe vendi i prodhimit mbahen sekret.
Aftësi për t’iu shmangur mbrojtjes elektronike
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se këta dronë janë në gjendje të depërtojnë 30-40 kilometra në territorin e kundërshtarit, duke sulmuar pozicione luftarake dhe nyje logjistike. Ai shtoi se dronët janë projektuar për t’iu shmangur sistemit elektronik të mbrojtjes, një përparësi strategjike në fushëbetejë.
Sipas Pistorius, shumica e dronëve tradicionalë mund të devijohen nga kursi i tyre përmes ndërhyrjes me pajisje bllokuese, por këta dronë të pajisur me IA janë të aftë të shmangin këto ndërhyrje dhe të arrijnë në objektivin e synuar. Ministri theksoi se prototipet e këtyre dronëve, të cilat i pa disa muaj më parë në Ukrainë, e kanë bindur për efektivitetin e tyre.
Dronët në luftën Ukrainë-Rusi
Dronët janë kthyer në një komponent të rëndësishëm të luftës në Ukrainë. Forcat ukrainase i përdorin ata si zëvendësim për artilerinë dhe municionet që shpesh mungojnë, ndërsa Rusia i përdor për të sulmuar si objektiva ushtarake, ashtu edhe civile.
Ushtria ukrainase ka arritur të shfrytëzojë dronë me kosto të ulët, të pajisur me eksplozivë, për të sulmuar pozicionet ruse. Furnizimi nga Gjermania pritet të përmirësojë ndjeshëm kapacitetin sulmues të Ukrainës.
Helsing dhe inteligjenca artificiale ushtarake
Firma Helsing, e themeluar në Mynih në vitin 2021, është e specializuar në zhvillimin e sistemeve të inteligjencës artificiale për sektorin e mbrojtjes. Kompania është përfshirë në projekte të ndryshme, përfshirë modernizimin elektronik të avionëve luftarakë gjermanë Eurofighter dhe zhvillimin e infrastrukturës IA për avionët luftarakë të së ardhmes në kuadër të programit Future Combat Air System (FCAS).
Ndërsa Gjermania vazhdon të ndihmojë Ukrainën me teknologji ushtarake, kancelari Olaf Scholz mbetet i rezervuar për dërgimin e raketave të avancuara Taurus, të cilat mund të godasin objektiva në territorin rus.