Volodimir Zelenski po i kërkonte prej kohësh tanket gjermane në frontin e luftës në Ukrainë, tanke të cilat do t’i ketë së shpejti. Kancelari gjerman, Olaf Sholz konfirmoi vendimin për dërgimin e tankeve Leopard 2 si ndihmë për forcat mbrojtëse të Ukrainës.
“Ky vendim ndjek linjën tonë të mirënjohur për të mbështetur Ukrainën me të mirën e aftësive tona. Ne po veprojmë në një mënyrë të koordinuar ngushtë ndërkombëtarisht.” -tha Sholz në një deklaratë.
Dërgesa e parë përfshin 14 tanke Leopard 2, ndërkohë që ushtarakët ukrainas pritet të nisin trajnimet për përdorimin e tyre.
Ukraina synon krijimin e dy batalioneve me tanke para pranverës kur flitet se Rusia do të nisë një tjetër mësymje në front të gjerë ndaj territorit ukrainas.