Qeveria gjermane miratoi të mërkurën një ligj të ri që ofron lehtësira për punëtorët e pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor të cilët kërkojnë një punë në Gjermani.
Kontigjenti aktual i punëtorëve të pakualifikuar në Gjermani llogaritet të jetë rreth 25 mijë, shifër e cila me ligjin e ri do të shkojë në 50 mijë vetë forcë punëtore për nevojat e ekonomisë gjermane.
Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, tha në konferencën e shtypit në Berlin se ky kontingjent do të dyfishohet nga 25 mijë që është aktualisht në maksimumi 50 mijë vetë në vit. Ministri shtoi se ka plane që kjo rregullore të zgjerohet edhe për vende të tjera. Ligji i ri mundëson punësimin në Gjermani pa kushtin e njohjes së gjuhës gjermane, por vetëm me sigurimin e një kontrate pune.
Ligji i ri u mundëson profesionistëve që posedojnë një diplomë të punësohen në disa profesione, ndërkohë që njohja e diplomave tashmë mund të kryhet në Gjermani.