BERLIN – Koalicioni qeveritar gjerman midis Social Demokratëve (SPD), të Gjelbërve dhe Partisë Liberale Demokratike (FDP) është shpërbërë pas mosmarrëveshjeve të ashpra mbi politikat ekonomike të vendit. Shpërbërja e koalicionit, e cila u bë publike më 6 nëntor, ka krijuar pasiguri të madhe në skenën politike gjermane dhe ka lënë vend për zhvillime të papritura, ndërsa kancelari Olaf Scholz planifikon të thërrasë zgjedhje të parakohshme.

Shkaku kryesor i konfliktit lidhej me një dokument të propozuar nga Scholz që kërkonte shpalljen e një “situate emergjente”, duke argumentuar se kjo do të justifikonte marrjen e një borxhi të ri për të mbështetur ekonominë dhe për të ofruar ndihmë shtesë për Ukrainën. Përballë këtij propozimi, ministri i Financave dhe kreu i FDP-së, Christian Lindner, bëri thirrje për një kthesë të fortë drejt shkurtimeve buxhetore dhe uljes së taksave – kërkesë që hasi kundërshtimin e Scholz dhe të përfaqësuesit të Gjelbërve, Robert Habeck.

Pas refuzimit të qartë të Lindner ndaj propozimeve të kancelarit, Scholz kërkoi shkarkimin e tij dhe disa ministra të tjerë nga FDP-ja braktisën gjithashtu qeverinë. “Refuzimi i kompromisit nga Lindner është i papërgjegjshëm,” u shpreh Scholz në një deklaratë për mediat, duke theksuar se ai nuk mund të toleronte më bllokimet e shkaktuara nga partnerët e koalicionit.

Reagime të ndara në Gjermani dhe lidhja me rizgjedhjen e Trump

Ngjarjet kanë shkaktuar një reagime të ndryshme mes qytetarëve dhe politikanëve gjermanë. Një pjesë e publikut shprehu lehtësim për fundin e koalicionit, duke e përshkruar si të ngadalësuar nga konfliktet e brendshme. Ndërkohë, sondazhet tregojnë se mbështetja për SPD-në mbetet e qëndrueshme në 16%, ndërsa FDP-ja është në rrezik për të mos arritur pragun e 5% për në Bundestag.

Zhvillimi i papritur në politikën gjermane përkoi me rizgjedhjen e Donald Trump si President i SHBA, gjë që ka ngritur shqetësime të reja në Gjermani për pasojat e mundshme mbi politikat e sigurisë dhe ekonomisë. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier theksoi se kjo situatë kërkon qetësi dhe veprime të kujdesshme.

Një sfidë për stabilitetin gjerman

Gjermania ka qenë prej kohësh simbol i stabilitetit politik në Evropë, dhe zgjedhjet e parakohshme janë një fenomen i rrallë në historinë e saj. Në të kaluarën, socialdemokratët e Helmut Schmidt u përballën me një situatë të ngjashme kur partneri i tyre liberal FDP kaloi në anën e CDU-së së Helmut Kohl-it, çka solli 16 vite qeverisje të konservatorëve. Në vitin 2005, kancelari Gerhard Schröder kërkoi votëbesimin për të provokuar zgjedhje të reja, por përfundoi duke i humbur ato dhe duke lënë hapësirë për epokën e gjatë të Angela Merkelit.

Në këtë rast, Scholz planifikon të kërkojë votëbesimin në Bundestag më 15 janar, duke llogaritur që humbja e votëbesimit do të çojë në shpërndarjen e Bundestagut dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat mund të mbahen në mars. Megjithatë, opozita CDU/CSU dhe një pjesë e publikut kërkojnë zgjedhje më të shpejta, ndërsa vetë Scholz ka lënë të hapur mundësinë për diskutim të mëtejshëm.

Kriza ekonomike dhe zgjedhjet e reja

Përballë krizave globale si lufta në Ukrainë, inflacioni dhe çmimet e larta të energjisë, Gjermania po përballet me një presion në rritje mbi buxhetin. Ndërsa socialdemokratët dhe të Gjelbrit kërkojnë më shumë fleksibilitet për të marrë borxhe, liberalët e FDP-së i qëndrojnë besnikë “frenës kushtetuese” të borxhit dhe kërkojnë që shpenzimet të mbulohen vetëm nga të ardhurat e taksave.

Deri në zhvillimin e zgjedhjeve, Scholz ka marrë përsipër të përmbushë disa reforma të rëndësishme, si ajo e pensioneve dhe miratimi i rregullave të reja për azil. Ndërkohë, skenari i formimit të një koalicioni të ri pa zgjedhje është gjithashtu i mundshëm, edhe pse opozita CDU/CSU ka përjashtuar një bashkëpunim me SPD dhe të Gjelbrit.

A do të ndikojë kriza në angazhimin ndërkombëtar të Gjermanisë?

Megjithëse qeveria është në një periudhë të paqartë, politikat ekzistuese – përfshirë mbështetjen financiare për Ukrainën – janë të detyruara të vazhdojnë sipas ligjit gjerman. Edhe nëse buxheti për vitin e ardhshëm nuk miratohet, ligjet parashikojnë që shteti të vazhdojë të shpenzojë sa vitin e kaluar, duke siguruar kështu që operacionet e tij të mos ndërpriten.

Gjermania ka hyrë në një periudhë delikate politike, dhe rezultati i zgjedhjeve të ardhshme do të jetë vendimtar për orientimin e saj të ardhshëm si në politikat e brendshme, ashtu edhe në ato ndërkombëtare.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *