Nga: The Economist
Disa kolosë financiarë janë thjesht pasqyrë e përmasave të vetë ekonomisë amerikane. Merrni për shembull JPMorgan Chase: është aq e madhe si bankë sa edhe vendi që e mban mbi supe. Por të tjera banka kanë fituar peshë për shkak të ndryshimeve në vetë ndërtimin e tregjeve.
“Rritja e pjesëmarrjes popullore në tregtinë e letrave me vlerë ka vendosur pasurinë e kombit nën kontrollin e financuesve”, thuhet në raportin e Senatit amerikan për shkaqet e krizës së bursës së vitit 1929. Dhe bota po hyn sërish në një epokë të financuesve të fuqishëm.
Zhvillimi i investimeve pasive, si fondet e indeksit dhe produktet e tjera të ngjashme, ka qenë i pandalshëm në tregjet publike. Kjo ka nxjerrë në pah gjigantë si BlackRock dhe Vanguard, që sundojnë me ofertat e tyre me kosto të ulët. Në anën tjetër të medaljes janë rritur edhe aktorë jobankarë, të përqendruar në tregjet private – që merren me investime në kompani jashtë bursës dhe me dhënien e kredive të palikuide. Apollo, Blackstone dhe KKR, vetëm këto tri, administrojnë sot mbi 2.6 trilionë dollarë – një rritje marramendëse nga 570 miliardët që zotëronin një dekadë më parë, kryesisht falë zgjerimit në huadhënie.
Vlera e përgjithshme e tyre në treg, përfshirë edhe BlackRock-un, është katërfishuar gjatë së njëjtës periudhë – nga 125 miliardë në afro 500 miliardë dollarë. Dikur përfaqësonin 10% të vlerës së tregut të bankave amerikane; sot, zënë mbi 21%. Madje edhe fondet më të mëdha mbrojtëse, si Citadel dhe Millennium, kanë thithur kapital dhe tru nga mbarë industria financiare. Në vitin që lamë pas, Jane Street gjeneroi nga tregtimi po aq të ardhura sa edhe banka Morgan Stanley.
Sferat e ndikimit të këtyre korporatave kolosale shpesh mbivendosen. Apollo, për shembull, i ngjan më shumë një kompanie sigurimesh jetësore sesa një fondi klasik kapitali privat. Kapitali sipërmarrës, që dikur ishte territor i firmave të vogla e dinamike, është vetë rritur dhe është bërë kushëri i afërt i kapitalit privat. Madje, firma të tilla si General Catalyst kanë ngritur edhe njësi për menaxhimin e pasurisë.
Edhe fondet mbrojtëse kanë filluar të luajnë një rol që tradicionalisht ishte monopol i bankave: ato ofrojnë likuiditet dhe ndikojnë dukshëm në ecurinë e tregjeve. Kjo ka sjellë edhe riorientime të vetë bankave. Goldman Sachs, për shembull, është ristrukturuar në përpjekje për t’u përballur me konkurrencën nga huadhënësit privatë.
Por ndikimi i vërtetë i kësaj vale të re financiare shihet sidomos në pikat ku sistemet e vjetra dhe të rejat përplasen. Njëra prej këtyre është ndarja mes bankave dhe institucioneve jobankare.
Që prej vitit 2020, kreditë për institucionet jobankare janë dyfishuar, duke arritur në 1.3 trilionë dollarë – rreth një e dhjeta e huadhënies totale bankare. Po ashtu, huamarrja e fondeve mbrojtëse nga njësitë kryesore të brokerimit bankar është rritur nga 1.4 trilionë në 2.4 trilionë dollarë. Bashkëpunimet në huadhënie mes bankave dhe firmave private janë bërë gjithnjë e më të zakonshme.
Një tjetër ndarje që po zbehet është ajo ndërmjet tregjeve publike dhe private. Huamarrësit tashmë zgjedhin midis tregjeve të bonove publike, ku borxhi mund të shitet e blihet shpesh, dhe atyre private, ku marrëveshjet janë më të mbyllura e më pak të tregtueshme. Shumë menaxherë të aseteve tani operojnë në të dyja anët e kësaj ndarjeje.
Dhe së fundmi, kufiri ndërmjet investitorëve individualë dhe atyre institucionalë është bërë gjithashtu i mjegullt. Investitorët me pakicë sot mund të hyjnë në produkte investimi që dikur ishin vetëm për profesionistë. ETF-të – fondet e tregtuara në bursë – dikur konsideroheshin si mjete të thjeshta dhe të sigurta, por sot janë transformuar në produkte që shpesh ngjasojnë me lojërat e fatit, për nga rreziku dhe kompleksiteti.
Në këtë peizazh të ri, BlackRock shërben si një pasqyrë domethënëse. Fillimisht, në vitin 1988, ishte pjesë e Blackstone-it – një tjetër titan i kapitalit privat. Më 1994, rrugët u ndanë dhe secili ndoqi një filozofi të vetën: BlackRock u përqendrua në tregjet publike, tarifat e ulëta dhe investitorët e vegjël, ndërsa Blackstone në tregjet private dhe investitorët institucionalë. Tani, secili po hyn në territorin e tjetrit. Blackstone po shkon drejt investitorëve me pakicë, ndërsa BlackRock po investon në tregjet private.
Vetëm vitin e kaluar, BlackRock shpenzoi një të katërtën e kapitalizimit të vet për të blerë HPS, një huadhënës privat, së bashku me firmën e të dhënave Preqin dhe Global Infrastructure Partners. Madje, ka bërë edhe ofertë për të marrë nën zotërim portet strategjike në Panama, që aktualisht i përkasin CK Hutchison-it nga Hong-Kongu – një veprim që u përshëndet edhe nga ish-presidenti Donald Trump.
Ky transformim rrënjësor i sistemit financiar amerikan – nga bankocentrik në treg-centrik – është padyshim frytdhënës dhe i gjallë. Por a është edhe i qëndrueshëm?
Mbi të gjithë, amerikanët e lëvdojnë këtë model për dinamizmin që i mungon Europës, ku financat ende dominohen nga bankat tradicionale. Në Amerikë, mjaftuan pak javë pas largimit të dy drejtuesve të lartë nga OpenAI që ata të mblidhnin miliarda dollarë për projekte të reja sipërmarrëse. Tregjet e borxhit janë duke financuar me shpejtësi ndërtimin e qendrave të reja të të dhënave për të ushqyer etjen për inteligjencë artificiale. E gjitha kjo do të ishte e paimagjinueshme në Europë, ku “risia” e fundit është përpjekja e një banke italiane për të blerë një bankë gjermane.
Mirëpo, shpejtësia sjell edhe rreziqe. Inovacionet financiare shpesh e tregojnë fytyrën e vërtetë vetëm kur është vonë – siç ndodhi me derivatet e rrezikshme përpara krizës së vitit 2008. Disa risqe, si moda e përkohshme e SPAC-ëve gjatë pandemisë, kalojnë pa shumë pasoja. Por të tjera – si derivatet e kredisë para krize – shkatërrojnë gjithçka përreth.
Problemi është se rreziqet më të mëdha fshihen aty ku nuk i sheh njeri. Një studim i përbashkët nga Rezerva Federale e Nju Jorkut dhe Universiteti i Nju Jorkut argumenton se ndërthurja gjithnjë e më e ngushtë midis bankave dhe institucioneve jobankare nuk ka bërë tjetër veçse ka zhvendosur – jo zvogëluar – rrezikun sistemik.
Andrew Bailey, guvernatori i Bankës së Anglisë, ka paralajmëruar se ndryshimet strukturore në tregje po krijojnë forma të reja rreziku, sidomos për fondet e mëdha mbrojtëse. Ndërsa Jeremy Stein, ekonomist i mirënjohur në Harvard, e ka shprehur më troç:
“Risia financiare është si një virus që gjen dobësitë e sistemit rregullator. Sa herë që diçka rritet shumë shpejt, kjo tregon se është zbuluar një dobësi e re.”